Ramin Bahrami: jam bërë i krishterë fal muzikës së Bach-ut

Historia e pianistit iranian Ramin Bahrami dhe e kthimit të tij në krishterim nëpërmjet veprës së Johann Sebastian Bach: “Ishte një muzikë aq qiellore sa që menjëherë kam pasur një përshtypje që ishte Zoti i cili këndonte në atë moment”.

 

Credere na shfaqet shëmbëlltyra artistike dhe e fesë së pianistit iranian Ramin Bahrami. Fëmijëria e tij në Teheran zhvillohet nën regjimin e Khomeyni dhe në shenjë të luftës së përgjakshme Iran-Irak, që shpërtheu më 21.09.1980, e cila do të numërojë një milion të vdekur për 8 vite.

 

Takimi i Ramin Bahrami me Bach-un

Një ditë, në moshën gjashtë vjeçare, deri sa alarmet e aeroplanëve binin vazhdimisht, dëgjon një CD të sjell nga Parisi nga një mike e familjes. Muzika është ajo e Johann Sebastian Bach, të shoqëruara nga pianisti kanadez Glenn Gould, të cilat do ti ndryshojnë jetën.

 

“E kisha gjetur shtëpinë time: krishterimin”

Edhe përmes ferrave lindin trëndafilat – pohon – deri sa jashtë ishte zjarr, zbuloja Bach-un. Ishte një muzikë aq qiellore sa që menjëherë kam pasur një përshtypje që ishte Zoti i cili këndonte në atë moment. Nuk e dija akoma por kisha gjetur shtëpinë time: krishterimin. Jam ulur pranë pianos dhe e kam lutur Zotin që një ditë të mund të bëja muzikë në atë mënyrë.

 

Ramin Bahrami: kur babai im vdiq unë luajta Schubert-in

Babai, inxhinier në kohën e Scià dhe pianist edhe ai vetë, ishte burgosur me akuzën se ishte kundërshtar i regjimit të ri, duke vdekur në burg kur Ramin dhe familja e tij tashmë kishin emigruar në Evropë.

Arritja në Itali

Plani fillestar ishte të udhëtonte në Gjermani, atdheu i origjinës së gjyshës nga ana e babait, por Shteti i parë që e mirëpriti ishte Italia, falë një burse studimi që ju dha pas ndërhyrjes së ambasadës sonë në Teheran për të studiuar në Konservatorin e Milanos.

Tashmë isha në Itali – kujton ai – kisha më pak se nëntë vjeç kur vëllai im më i madh më telefonoi nga Irani. Menjëherë më tha: ka vdekur babai ynë. Nuk qava menjëherë, por bëra një gjë që atij do t’i kishte pëlqyer. Iu afrova pianos dhe luajta një Improvizim të Franz Schubert, një nga më të zymtët dhe më të errët të historisë së muzikës.

 

Ramin Bahrami: mesazhi i Krishtit tashmë ishte në mua

Megjithatë, është gjithmonë Bach – në notat e të cilit ai ndjen praninë e gjallë të Zotit –ndërmjetësi për kthimin e tij në fenë katolike:

Në një ëndërr, kur isha dhjetë vjeç, bëja një rreth dhe kisha afër Johann Sebastian Bach-un, që nuk më tha absolutisht asgjë. Kam kuptuar rëndësinë e heshtjes, që pastaj e kam gjetur në fenë e krishterë (…) Këto heshtje gjatë kremtimeve janë gjithashtu më të rëndësishme se sa fjalët e shkruara, sepse Zoti flet edhe me heshtje. I kam thënë vetes: nëse një njeri i jashtëzakonshëm sikurse Bach ka krijuar gjithë këtë muzikë për Krishtin, në një mënyrë kaq të përsosur e të plotë, atëherë kjo është mënyra e duhur. Akoma nuk isha i pagëzuar, do ta bëja vite më vonë, kur jam martuar, por ka qenë e qartë se isha i krishterë, mesazhi i Krishtit tashmë ishte në mua.

 

Kriza ekzistenciale dhe rilindja falë fesë

Muzikanti rrëfen se si më vonë tejkaloi një moment krize të madhe ekzistenciale gjatë kthimit nga Meksika, ku kishte qenë i sëmurë rëndë: madje kishte menduar edhe të ndalonte të luante.

“Më dukej si një lutje e shkruar posaçërisht për mua”

Gjendej në Veneto gjatë një koncerti në një kishë:

(…) në sakresti të kësaj kishe kam gjetur mrekullisht në tokë një figurë të Monsinjor Dominique Lebrun, argjipeshkëv françez. Më dukej si një lutje e shkruar posaçërisht për mua, që nuk dëshiroja ta jetoja. Thoshte, pak a shumë kështu, “Më duaj ashtu siç je, nuk ka rëndësi nëse nuk je engjëll, i njoh të gjitha mjerimet e tua, më duaj ashtu siç je”. E kam kuptuar që duhej të vazhdoja për të luajtur.

 

Ramin Bahrami: “prej 20 vitesh e kam sklerozën multipleks”

Për të vazhduar përpara pa marrë parasysh sëmundjen të cilën sot e konsideron një shoqëruese të udhëtimit:

“Tash njëzet vite e kam sklerozën multipleks: prej vitesh as që kam folur, pastaj një ditë vendosa. Dëshmia ime ndoshta mund të ndihmojë. Edhe vëllai im vuante, por me të ishte më pushtuese. Unë kam mësuar ta pranoj si një mike, jo si një dënim, një prani e rëndë që më vë përballë brishtësisë sime në çdo moment, kufizimit që është pjesë e çdo qenie njerëzore. Rrugëtimi është i vështirë por edhe stimulues: janë momente në të cilat gëzimi të befason dhe fakti se ke ulje e ngritje është sikur të jetosh valët e muzikës së vetë Bach-ut. Është vera, është diell, e kur në Gjermani (pianisti jeton prej vitesh me nënën 84 vjeçare në Shtutgart) shkëlqen është diçka e jashtëzakonshme, por ka edhe dimër, ftohtë. Janë pikërisht këto që na bëjnë të vlerësojmë diellin që lind, pranverën që kthehet.”

 

Devocioni marian

Sa i përket ndjenjës së tij birnore thotë:

Si besimtar unë them që i kam dy Nëna, një e cila quhet Shahin Asfhar, iraniane me origjinë ruso-turke, dhe tjetra që është Virgjëra Mari. Shikoj drejt kësaj Nëne si një qenie e vogël njerëzore, nevojtar për të dëgjuar dhe kuptuar, si një burim i pashterrshëm, sepse e zemëroj me përpikëri, dhe lutem shpesh që Ajo të ndërmjetësoj te Biri i saj që ta rishërojë këtë njerëzim të sëmurë, pa ndjenja, përmes artit, kulturës dhe bukurisë.

 

“Lutem ashtu sikur se është duke na mësuar Papa Françesku”

Njerëzimi që sot po kalon një moment të errët dhe vendimtar:

Kur kam lindur, prindërit e mi më kanë mësuar të dua kultura të ndryshme dhe të dialogoj me to. Për këtë jam në ankth: lutem sikur se është duke na mësuar papa Françesku, i vetmi që shprehet qartë për luftën në Ukrainë. E kam kuptuar shpejt se çfarë do të thotë ta kesh luftën në shtëpi, ushtroja në piano dhe dëgjoja raketat në qiell, shihja shkatërrim kudo. Duhet të reagojmë dhe të zgjohemi, të kalojmë udhën e paqes, të çarmatimit, të dialogut./drita.info

Marrë nga: https://it.aleteia.org/2022/06/17/ramin-bahrami-musicista-conversione-bach/

Përktheu: Don Marjan Topalli

Shpëndaje: