EPIFANIA E DASHURISË HYJNORE NË AGONIN E JEZU KRISHTIT TË KRYQËZUAR

Nga Don Robert Kola

 

Sicut aqua effusus sum,

et disiuncta sunt omnia ossa mea:

Factum est cor meum tamquam cera,

     liquescit in visceribus meis.

(Ps 22, 15)

 

Përflakja e kraharorit

Poezia dhe arti janë vatra të frymëzimit dhe lartësimit në misterin e jetës. Përmes tyre hetohet thellësia dhe përmallimi ndaj misterit. Përballë pikturës së Krishtit të Kryqëzuar të Velasquez-it, poeti dhe shkrimtari M. De Unamuno, përshkoi agonin e Krishtit në Kryq, në vargje poetike për shumëçka të rralla. Frymëzimi i poetit përflaket nga pamja që shquan piktura. Rreth saj, thoshte: “Përmes virtytit të veprës së artit, arrihet të paraqitet në trajtën e dukshme dhe purteka e magjishme për ne ishte paneli i don Diego Rodriguez de Silva Velàsquez. Falë saj, mund të kundrojmë edhe sot, fytyrën e Jezusit i bërë mish për ne.”[1]

Ajo që habit në pikturën e Velàsquez-it, është, ndër të tjera, bardhësia e dritës e shtrirë në trupin e Krishtit në Kryq; bardhësia e Dritës së Lavdisë së Hyjit, që përshkon mishin dhe trupin përmes Ngjalljes.

A nuk urohet edhe në traditën tonë: “Pashkë të bardha!” Pra, urohet që bardhësia e dritës së Ngjalljes të përfshijë mishin dhe jetën e tjetrit.   

Kur flet për misionin e një populli, E. Cioran hetonte se ai qëndron: “në zbulimin dhe shfaqjen e një prej pamjeve të fytyrës së Hyjit.”[2] Misioni i popullit spanjoll i cili është i “ngjizur me Hyjin,”[3] kryhet përmes artit dhe poezisë. Rreth saj E. Cioran thoshte: “Vendet e tjera kënaqën veç sa për ta njohur, por nuk e bartin në vete. Sipas meje, Spanja është një flakë, ndërsa për Hyjin është përflakje. Rusia me mbarë Siberinë flakërohet se bashku me Spanjën me vetë qiellin.”[4]

Spanja është trualli i përflakjes përmes pamjes që shfaq në art dhe poezi. Arti dhe poezia janë kurorëzuar në truallin spanjoll dhe emblema e vulosjes së tyre është mistika e Shën Gjonit të Kryqit. Po sjellë një nga vargjet e “Këngës shpirtërore”, ku poeti dhe mistiku, hartoi poezinë e thellë, rreth përmallimit të shfaqjes së fytyrës së Hyjit:

Ma zbulo fytyrën tënde hyjnore

më vraftë pamja dhe bukuria jote (hermosura);

ti e di se vuajtja e dashurisë

nuk shërohet kurrë

veç me pamje e figurë.[5]

Përmes Mishërimit të Jezu Krishti edhe mishi ynë ”vuloset me hirin e bukurisë (hermosea) hyjnore.”[6] M. De Unamuno duke kundruar trupin e Krishtit të Kryqëzuar, rreth tij, pohon: “Trupi i zhveshur i Kryqëzuarit në Kryq është ligji ynë i lirisë hyjnore.”[7]

Duke kërkuar hirin e bukurisë në shikimin e Krishtit të Kryqëzuar, Shën Gjoni i Kryqit hetoi burimin ku pasqyrohen sytë e bukurisë magjepsëse të Shpirtit Shenjt:

Oh burim i kristaltë

sikur në kët’ reflektim tëndin t’argjenduar

papritmas t’u jepja trajtë

atyre syve t’tu të dëshiruar

që në zemrën time i mbaj të skicuar.[8]

Gjatë shqyrtimit thellësor të thelbit të poezisë, që shquhet nga ky varg i Shën Gjonit të Kryqit, M. Zambrano thekson: “Përsosja objektive e dashurisë, e cila është njëherit edhe ajo e poezisë, pasi lidhja në mes mistikës së shndritur dhe poezisë, shquhet përmes gjurmës së pranisë së objektit të tyre ndaj dashurisë që gjakojnë. Gjakimi shquhet në mënyrë poetike dhe përcaktimi rreth poezisë mund të jetë ky: s’ka poezi po qe se kraharori, nuk përshkohet dhe nuk vuloset nga gjurma e një pranie […] Poezia gjithmonë ka qenë dhe është gjëja që i përket “mishit.” Ajo përshkon rropullitë e mishit dhe thellësitë e kraharorit. Së këndejmi, sfilitja e poezisë, si çdo gjë tjetër fisnike, përmban edhe ajo sfilitjen e saj, e cila qëndron në të shprehurit e brendësisë së rropullive dhe të thellësisë së kraharorit. Ajo shpërthen, po ashtu, edhe përmes klithjes dhe britmës dhe bëhet edhe shfaqje e ashpërsisë, ku fjala mbetet si ofshamë dhe rënkim i të parrëfyeshmes.”[9]

 

“Eloi Eloi lema sabatahthani”

Klithja e Jezu Krishtit në Kryq: “Eloi Eloi lema sabatahthani,” (Mk 15, 34) është një rresht i shkëputur nga ungjilltari e cila i shërben si një ftillesë nga Psalmi 22, që Jezu Krishti i Kryqëzuar e lut në tërësi mbi Kryq. Psalmet janë: “Poezia e Shpirtit Shenjt.”[10] Hilario nga Poitiers-i, hetoi thellë njëmendësinë e Psalmeve, kur thotë: ”Psaletri është forma e trupit të Krishtit, që i përmbush me Shpirtin Shenjt.”[11] Pikërisht në Psalmin 22, janë të përshkruara: “heblê ha Mashiah,” “dhimbjet e tmerrshme të Mesisë”; ato janë aq të njohura për popullin hebraik, i cili priste “lindjen” e Mesisë. Teksti Masoretik i Biblës, i përcakton edhe si “am noland,” që në versionin e Septuagintës përkthehet si: “tikto,” lindje. Në Psalm, pra, bëhet fjalë për lindjen eskatologjike me të tmerrshme në histori.[12]

Në këtë frymë duhet të kundrohet gjithë Psami 22. Në veçanti strofa e fundit përmes të cilit kurorëzohet Psalmi:

Do ta shpallin drejtësinë e tij;

Do t’i thonë Popullit që do të lindë:

‘Ja vepra e Hyjit.’ [13] 

Në Kryq, përmes ofshamave të patregueshme të Krishtit, njëmendësohet kënga e këtij Psalmi. Në të janë të përshkruara dhe të përfshira gjitha rropullitë që burojnë nga ofshamat dhe klithjet e mishit. Ato njëmendësohen dhe tejfigurohen përmes mishit dhe trupit të Jezu Krishtit në lavdinë e Ngjalljes. Në Kryq, lartësohen dhe përputhen rropullitë dhe thellësitë e mishit me të rrahurat e Shpirtit Shenjt. Psalmi si vetë poezia përshkon rropullitë dhe thellësitë e kraharorit dhe mishit dhe shugurohen përmes Shpirtit Shenjt, në Lavdinë e pambaruar të Hyjit përmes kryqëzimit të Jezu Krishtit.

Në këtë rrjedhë po shkëpus vetëm një pamje nga tradita e Kishës së Lindjes, e cila në dritën e misterit të Jezu Krishtit në Kryq, kundron thellësinë e Mishërimit: “Kur shpirti i bërë i denjë të marrë pjesë në Shpirtin Shenjt, burim i dritës së tij, dhe ndriçohet nga bukuria e patregueshme e lavdisë së Zotit, që e ka përgatitur për fron të vetin dhe banesë të vetën, ai bëhet, po ashtu, krejt dritë, krejt fytyrë, krejt shikim; s’ka asnjë pjesë e tij që nuk përshkohet nga shikimi shpirtëror i dritës, s’ka asgjë në të çka i përket errësirës, por krejt është i tejfiguruar në dritë dhe në shpirt, dhe i tërë përshkohet nga shikimi; s’ka asgjë që mbetët mbrapa tij për t’i kthyer shpinën, por është fytyrë në çdo anë, pasi mbi të është vendosur bukuria e pa treguar dhe lavdia e shkëlqyer e Krishtit […] Sikur zjarri dhe si vetë drita e zjarrit, që është e njëjtë dhe s’ka në vete diçka për para apo mbrapa, të madhe apo të vogël, kështu edhe shpirti, që është i përsosur dhe i shndritur nga bukuria e lavdisë së shkëlqyer prej fytyrës së Krishtit, i cili është në bashkësi me Shpirtin Shenjt, duke e bërë të denjë shpirtin tonë, që të bëhet froni i Hyjit edhe shpirti ynë bëhet krejt sy, krejt dritë, krejt lavdi. Kështu e bën Krishti, që e udhëheq, i prin, e bartë dhe e rrethon me bukurinë shpirtërore.”[14]

Agonia e Jezu Krishtit në Kryq është përflakja e shpirtit, që bëhet prush në kraharor. Është vulosja e kraharorit përmes zjarrit. Kraharori bëhet vatra e zjarrit. Nga zjarri i kësaj vatre thuret edhe fjala. Gjuha bëhet gjuhë e zjarrit dhe rrëfimi i saj thuret përmes flakës së zjarrit. Zjarri është kurora e saj. Agonia është kurora e mishit e përflakur me zjarrin e Shpirtit Shenjt. Ajo është dasma e përkryerjes së mishit dhe shpirtit në dritën e Lavdisë së Hyjit.

Agonia e Jezu Krishtit në Kryq nuk është ndonjë “vuajtje mohuese,” ndonjë “ashpërsi e braktisjes” (die Haerte der Gottlosigkeit);[15] flijimi dhe dorëzimi i Jezu Krishtit në Kryq është ngjizja e Lavdisë së Shpirtit Shenjt, në mishin dhe kraharorin e Tij, duke tejfiguruar natyrën tonë që mori përmes Mishërimit, në Lavdinë e pambaruar të Atit përmes Ngjalljes.

 

“Gjithçka u përkrye: tetelestai”

Poeti M. De Unamuno përballë të Kryqëzuarit, ngul shikimin kundrues në çdo thellësi të trupit të Jezu Krishtit në Kryq dhe merr dritën rreth këtij misteri nga vatra e Shkrimit të shenjtë. Gjatë kundrimit të Fytyrës së Jezu Krishtit në Kryq, përmes pikturës së Velàsquez-it, poeti thotë: “Krahët janë hapur dhe shtrihen për të përqafuar gjithçka që jeton dhe për të ngritur lart, deri në qiell. Para që ti të lindeshe, toka nënë lëkundej e zbrazët, në asgjë e varur. Sot pushon mbi kraharorin e Birit, mbështetja e botës. Janë krahët e hapura, si të një nëne që mbrojnë fëmijën, kur hedh hapat e parë. Janë këta krahë të bardhë të kryqëzuar, si krahët që mbartin në jetë; si velat e bardha që mundësojnë fluturimin mbi ujërat e tmerrshme të jetës, për të arritur tek Ati i dashurisë. Janë duart e hapur që mbjellin mbi tokën tonë zambakë të bardhë. Janë duart e të Kryqëzuarit – që u hapin bebëzën syve dhe veshët e të shurdhëve, që ngritën të bijën e Jairit dhe që përkëdhelte fëmijët, janë ato duar që në Darkën e fundit thyenin bukën (që ishte mishi yt ) – tani e lartësojnë mbarë tokën, si një Hoste kah qielli dhe ia ofron dritës së Diellit të amshuar. Ato dy duar të shporuara, duken si dy burime që kullojnë gjak mbi tokën e etur për Hyjin. Po edhe nga këmbët e shporuara rrjedh gjaku shpëtimtar. Ato nuk mbështeten mbi tokën tonë, për të shkuar në kërkim të deles së humbur, apo që lahen nga lotët e Magdalenës e të fshihen me flokët e saj, apo të ngritën mbi malin Tabor, për të bërë të dridhen në dashuri edhe shkëmbinjtë nga pamja e lavdisë së Transfigurimit. Gjaku që rrjedh prej tyre, jo vetëm  ujit dhe bën të pëlleshme lëkostrën e kësaj toke, mbi të cilën këmbët tona shtegtuese si të përhumbura dhe të marra rravgojnë për t’iu shmangur vdekjes. Ato tani përshkojnë mbretërinë e të vdekurve, duke bërë që të drithërohen për amshimin, pikërisht mbi atë pluhur nga mbiu edhe jeta. Gjithë trupi i flijuar është burim jetë dhe drite. Jeta dhe drita që nuk i përket kësaj botë, por asaj hyjnore, që ripërtërinë dhe mbushullon. Vdekja dhe Ngjallja e Jezu Krishti është dasmë që rilind njerëzimin.”[16]

 

“Uli kryet dhe dhuroi Shpirtin”

Ajo që, nder të tjera, e magjeps poetin në pikturën e Velasquez-it, është gërsheti i flokëve që bie mbi ballin e Tij dhe e mbulon njërën faqe të fytyrës së Tij. Ulja e kokës e Jezu Krishtit në Kryq është “Ameni” i përsosur i Birit ndaj Atit. Është dhurimi i pambaruar në mes Atit dhe Birit. Sa thellë e kundron poeti De Unamunno, uljen e kokës së Jezu Krishti në Kryq, kur ia dorëzon Atit shpirtin. Ai thotë: “Koka është përkulur mbi kraharor, si një zambak mbi kërcellin e venitur nga dielli; floknaja e zezë virgjërore bie mbi fytyrën e tij, sikur për të mbuluar marrëzinë e njeriut; sytë e tij të mbuluar nuk janë të ngulitur për falje dhe fashitje, por për të ‘kërkuar honin e zemrës sonë’ që të mbjellë kurorën e tij. Edhe veshët i ka të mbuluar, por ai njësoj dëgjon, sepse ata janë si dy guaska deti që përmbledhin gjithë ushtimën e dallgëve dhe të lotëve të detit të netëve tona, dhe nuhat etjen dhe urinë tonë për pavdekshmëri.”[17]

Duke kundruar vdekjen në Kryq dhe dorëzimin e shpirtit në duar të Atit, poeti thotë: “Ti bërë nga vdekja, që është mbarimi, parimin sovran të jetës […] Ti, o Krisht, përmes vdekjes sate i dhurove Gjithësisë një mbarim njerëzor dhe në fund ishe ti Vdekja e vdekjes. Vdekja e tij, fli e amshuar është për ne jeta e pambaruar, kulla e ngjalljes që presim në mbarim.”[18]

Po e mbyll këtë përsiatje me poezinë e Shën Gjonit të Kryqit, ku gjithë mistika e tij është e lidhur për gërshetin e një floku përmes të cilit shquan dashurinë e Hyjit ndaj krijesës së tij.

Bukuria e dashurisë hyjnore tejfiguron krijesën në bukuri të dashurisë. Ngjan kështu ngase Shpirti vepron në këtë mënyrë për të na bërë të ngjashëm me të Dashurin dhe me anë të këtij veprimi të dashurisë të arrijmë të shihemi në bukurinë e Tij në jetën e pasosur; domethënë: që unë të mund të jem i shndërruar në bukurinë e Tij saqë, duke qenë i ngjashëm në bukuri, të shihemi të dy në bukurinë e Tij pasi tashmë unë kam të njëjtën bukuri të Tij.[19]

Gjithë poezia dhe mistika e Shën Gjonit arrin kulmimin në këtë strofë:

Nga ai flok i vetëm

që mbi qafë duke valëvitur shikove

mbi qafën time vështrove,

i magjepsur mbete

dhe në njërin prej syve t’mi u lëndove.[20]

“Ah mrekulli e denjë për të ngjallur admirimin tonë dhe gëzimin tonë! Hyji i zënë rob nga një fije floku! Shkaku i kësaj zënie qëndron në faktin se Hyji ka dashur të ndalet për të shikuar lëvizjen e flokut. Në qoftë se Ai, në mëshirën e tij të madhe, nuk do të na kishte shikuar dhe nuk do të na kishte dashur i pari, siç thotë Shën Gjoni (1Gjn 4, 6), e po mos ishte ulur, tek Ai nuk do të kishte bërë asnjë kapje valëvitja e flokut të dashurisë sonë të mjerë, pasi nuk do të ishte ngritur aq lart sa të arrinte ta kapte këtë zog hyjnor të lartësive. Mirëpo, pasi është ulur për të na shikuar dhe për ta tërhequr lart fluturimin e dashurisë sonë (krh. Dt 32, 1), duke i dhënë guxim dhe forcë, Ai vetë ka dashur të kapet në lëvizjen e flokut, domethënë  Ai vetë ka rënë në dashuri dhe ka mbetur i rrëmbyer prej tij.”[21]/drita.info

 

———————————–

[1] M. DE UNAMUNO, El Cristo de Velàsquez, Espasa-Caple, Madrid 1976. Teksti i cituar është marrë nga: F. CASTELLI, Volti di Gesù Cristo nella letteratura moderna, Vol I, Edizioni Paoline, Milano 1987, f. 116. 

[2] E. CIORAN, Lacrime dei santi, Milano 1990, f. 63.

[3] E. CIORAN, Lacrime dei santi, f. 63.

[4] E. CIORAN, Lacrime dei santi, f. 63.

[5] Përthimi i vargut në shqip, ndjek përkthimin nga L. Hasaj: SHËN GJONI I KRYQIT, Kënga shpirtërore, përkthej L. Hasaj, Boton Fjala Hyjnore, Prishtinë – Shkodër, 2015, f. 20.

Descurbe tu presencia,

Y màteme tu vista y hermosura;

Mira que la dolencia

De amor, que no se cura

Sino la presencia y la figura.

Teksti burimor i poezisë është marrë nga botimi: E. STEIN, Znanost križa, Kršćanska sadašnjost, Zagreb, 1983, f. 135.

[6] H. U. VON BALTHASAR, Stili laicali. Dante, Giovanni della Croce, Pascal, Hamann, Solov’ëv, Peguy, në Gloria. Una estetica teologica, Vol. III, Jaca Book, Milano 2017, f. 133.

[7] F. CASTELLI, Volti di Gesù Cristo nella letteratura moderna, f. 118.

[8] SHËN GJONI I KRYQIT, Kënga shpirtërore, f. 20.

[9] M. ZAMBRANO, La confessione come genere letterario, Milano 2018, f. 89t.

[10] T. FEDERICI, Cristo Signore Risorto amato e celebrato, EDB, Bologna 2005, f. 358.

[11] ILARIO DI POITIERS, Commento ai Salmi, Roma 2005, f. 97.

[12] Shih: T. FEDERICI, “Lo Spirito Vivificante”. Cristo e lo Spirito Santo nel Nuovo Testamento, Roma 1995, f.162.

[13] Përkthimi i këtij Psalmi, ndjek versionin e saktë që jep Anton N. Berisha. Shih: PSALMET, Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Botues Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017, f. 81.

[14] PSEUDO – MACARIO, Spirito e fuoco. Omelie spirituali, Edizioni Qiqajon 1995, f. 55t.

[15] Është me rëndësi të kemi parasysh dokumentin e Komisionit teologjik ndërkombëtar, i lëshuar në vitin 1982, ku ndër të tjera flitet dhe rreth “braktisjes” së Jezusit në Kryq. Komisioni heton se si në shumë vëzhgime teologjike dhe në shumë përsiatje të teologëve të ndikuar nga filozofia e Hegelit, shohin në Kryq “braktisjen” e Jezusit nga ana e Atit. Komisioni teologjik, duke analizuar traditën e Kishës rreth hamendësimeve të kësaj natyre që përfshihen dhe në përsiatjet teologjike, thekson: “Meqë Ngjallja është e pranishme në planin e amshuar të Atit, vuajtja e ‘ndarjes’ është e tejkaluar nga gëzimi i bashkimit; bashkëvuajtja e Hyjit trinitar në vuajtjen e Fjalës së mishëruar përfytyrohet si vepër e dashurisë së përkryer që është burim i gëzimit.” Cituar sipas: www. vatican/roman_curia 1982, teologia – cristologia – antropologia.

[16] Citimi i poezisë ndjek përkthimin në prozë sipas: F. CASTELLI, Volti di Gesù Cristo nella letteratura moderna, f. 119.

[17] F. CASTELLI, Volti di Gesù Cristo nella letteratura moderna, f. 118.

[18] F. CASTELLI, Volti di Gesù Cristo nella letteratura moderna, f. 123.

[19] SHËN GJONI I KRYQIT, Kënga shpirtërore, f. 258.

[20] SHËN GJONI I KRYQIT, Kënga shpirtërore, f. 25.

[21] SHËN GJONI I KRYQIT, Kënga shpirtërore, f. 233.

Shpëndaje: