E diela XXV gjatë vitit (c)
Leximi i parë Am 8, 4-7
Shpesh besimtari mendon të ruajë ndërgjegjen e mirë me praktika të jashtme: të respektojë të shtunën, të vërë në praktikë normat fetare dhe formale. Por nëse besimtari nuk ka edhe një bamirësi të sinqertë drejt vëllezërve që realizohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me mendime të mira, rrezikon të bjerë në gjykimin shumë të ashpër të Hyjit kundër hipokrizisë.
Lexim prej Librit të Amosit profet
Dëgjoni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit, ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë? Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rrejshme, për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë, t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’ Zoti përbetohet me nderin e Jakobit: “Askurrë s’do t’i harroj veprat e tyre!” Fjala e Zotit.
Psalmi 113
Ref: Shikimi i Zotit është mbi skamnorin
—————————————
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,
lavdërojeni Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit
qysh tash e deri në amshim.
—————————————
I madhërueshëm është Zoti
mbi të gjithë popujt,
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
Kush është si Zoti, Hyji ynë,
që fronin e ka në lartësi,
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
—————————————
Nga pluhuri e ngreh skamnorin,
nga llomi e lartëson të vobektin,
për ta vënë të rrijë me princa,
me princat e popullit të vet.
—————————————
Leximi i dytë 1 Tim 2, 1-8
Të gjithë të krishterët nëpërmjet pagëzimit janë meshtarë, të dërguar nga Hyji afër njerëzve, përfaqësues të njerëzve pranë Hyjit. Çdo të dielë kur të krishterët kremtojnë Eukaristinë kryejnë këtë detyrë në lutjen e besimtarëve, duke i paraqitur Hyjit gëzimet, shpresat, vuajtjet dhe ankthet e të gjithë njerëzve. Pas Eukaristisë dërgohen në botë për të kryer veprat e Hyjit në favor të njerëzve.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, po të porosis më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, urata, falënderje për të gjithë njerëzit, për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të paqët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës. Sepse Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu Jezu Krishti, i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit. Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull: ju them të vërtetën, nuk rrej; mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët. Dua, pra, që burrat në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Jezu Krishti, duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij.
Aleluja.
Ungjilli Lk 16, 1-13
Luka na kujton se njeriu nuk është pronar i të mirave të tij, por është thjesht vetëm një administrator në shërbim të të mirave të të gjithëve dhe duhet të japë llogari se si e ka përdorur pasurinë që i është dhënë. Jezusi shfaqet i ashpër drejt atij që nuk di të organizojë jetën dhe të ardhmen e tij. Duhet të jemi të kujdesshëm, që do të thotë të vlerësojmë kohën dhe pasuritë e jetës për të zgjidhur ato probleme të pranishme në familjen tonë dhe në shoqërinë ku jetojmë.
Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u thoshte nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse ti s’mund të jesh më mbarështues.’ Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: ‘Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih ….? Nuk mund! Të dal e të lyp ….? Më vjen turp! E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.’ Atëherë thirri një nga një detyrësit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i ke detyrë zotërisë tim?’ Ai i përgjigji: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti, sa ke detyrë?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’. E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës. Ndërsa unë po ju them: fitoni për veta miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara. Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën? Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Pasuria mund të jetë një mjet i shkëlqyer për të bërë të mirën. Por mund të bëhet edhe armiku më i keq i njeriut që e zotëron.
“Zotëria e lavdëroi mbarështuesin e pandershëm, sepse kishte vepruar me shumë shkathtësi”. Jezusi nuk miraton mashtrimin, të kryer me aftësi, deklaron “të pandershëm” protagonistin e shëmbëlltyrës, por i njeh dinakërinë dhe gatishmërinë për të siguruar nga huamarrësit e zotërisë së tij mbështetjen ekonomike për të jetuar pas largimit nga puna. Jezusi u propozon këtë mendjehollësi “bijve të dritës”, atyre që janë ndriçuar nga drita e Ungjillit, përderisa ata rrezikojnë shpëtimin, nëse nuk jetojnë shkathtësinë e guximin me të cilin “bijtë e kësaj bote” kujdesen për interesat e veta: “e di unë se çfarë të bëj”.
Jezusi na sugjeron se çfarë të bëjmë për të fituar shpëtimin: “Fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara”. Sekreti për t’u pranuar pas vdekjes në bashkimin e amshuar e të lumë me Hyjin, është përdorimi me maturi i pasurisë që zotërojmë tani. Jezusi na paralajmëron për pushtetin e tmerrshëm nga pasuria, që mund të jetë një shërbëtor i çmuar, por nëse bëhet zotërues i njeriut, e kthen në skllav. Është si të mohosh besimin në Hyjin e të besosh në anti Hyjin, që është pasuria. Pasuria materiale paraqet, kështu, një mundësi për të bërë të mirën, derisa të na jepet pasuria e vërtetë në amshim.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, shpallja e Mbretërisë së Hyjit kërkon një ndryshim thelbësor, që na përfshin të gjithëve, në fjalë dhe në vepra.
Të lutemi së bashku e të themi: Ardhtë mbretëria jote, o Zot.
L. Që Kisha të dijë të shpallë kuptimin ungjillor të varfërisë dhe të jetë mes njerëzve shembull solidariteti ndaj të varfërve. Të lutemi
L. Që qeveritarët të ndjejnë të gjallë përgjegjësinë e të mirës së përbashkët dhe të angazhohen me ndershmëri dhe dituri. Të lutemi
L. Që të dimë të mbarështojmë me dituri të mirat që kemi dhe të dimë t’i përdorim si dhurata të Atit, t’i ndajmë me vëllezërit në nevojë. Të lutemi
L. Që bashkësia jonë të bëjë të shkëlqejë vlera e realiteteve shpirtërore, duke praktikuar për dashurinë e Krishtit drejtësi, dialog dhe solidaritet. Të lutemi
M. O Zot, bëje popullin tënd të angazhohet deri në fund derisa të mirat e kësaj bote të mos jenë motiv grindjeje, por të përdoren për të ndërtuar miqësi e solidaritet. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)