Çdo vepër e jona do të ketë jehonë në amshim

E diela XXVI gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   Am 6, 1.4-7

Populli i Izraelit tani jeton në një tokë të qëndrueshme dhe të sigurt, ndërsa në të kaluarën ka jetuar si endacak nën çadra.  Për shumë vite Hyji, duke e parë të poshtëruar dhe endacak, e ka mbrojtur dhe e ka ndihmuar. Por tani mirëqenia dhe siguria ekonomike e bën këtë popull të ndihet i ngopur dhe i sigurt në kurriz të të varfërve. Edhe sot ekonomia jonë e konsumit, e ndërtuar mbi mundimin e të tjerëve, nuk ka bekimin e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Amosit profet

Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajëra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   146

 

Ref: Lum skamnorët në shpirt

————————————-

Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

————————————-

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

————————————-

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

————————————-

 

Leximi i dytë   1 Tim 6, 11-16

Të shpallësh besimin tënd nuk do të thotë të recitosh fjalë të bukura.  Gjëja e vetme që thyen indiferencën është një përvojë e gjallë dhe e vërtetë e Hyjit të krishterë. I krishteri pohon me jetën e tij se e ka takuar dhe bëhet dëshmitar ashtu si Jezusi i Naza-retit, që përballë skepticizmit dhe refuzimit ka dëshmuar gjithmonë që ekziston një Hyj në ecjen e njeriut.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 16, 19-31

Jezusi shpall që në jetën e amshuar do të ndodhë përmbysja e vlerave. Të varfrit dhe të pasurit i dhurohet një fat ndryshe nga ai që kishin në jetën tokësore: Lazri tani gëzon të mirat në qiell.  I pasuri është i torturuar në ferr. Jezusi në lumturitë shpall të lumtur të varfrit, të uriturit, ata që qajnë, u jep atyre lajmin se janë të dashur prej Hyjit dhe shpall se në Mbretërinë e Hyjit do të përmbyset mendësia e  kësaj bote.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’ Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Koha mbi tokë e përgatit njeriun për amshimin. Por ekziston rreziku i tmerrshëm i humbjes së lumturisë së amshuar duke përdorur në mënyrë egoiste të mirat tokësore.

“Na ishte një njeri i pasur, …” Ai nuk ka një emër, është pa fytyrë e pa Hyj. I pasuri përjashton tjetrin, e heq nga horizonti i vëmendjes së tij. I varfri, i mbuluar nga plagët, i tronditur nga uria krijon shqetësim. Pasuria, kur bëhet idhull, e mbyll zemrën e njeriut ndaj Hyjit e ndaj të afërmit.

Na ishte “një i varfër, që quhej Lazër, …” Ai e ka një emër dhe është një njeri i drejtë që, në mjerimin e skajshëm, nuk e humb besimin, por është i bindur se “Hyji e ndihmon”.

“Vdiq skamnori, … vdiq edhe pasaniku …”. Vdekja i godet të dy. I varfri përcillet “në kraharorin e Abrahamit”, në lumturinë e amshuar, i pasuri “vdiq e u varros” por përfundon “në ferr mes vuajtjeve”.

Jezusi do të na thotë se drejtësia e Hyjit do të riekuilibrojë padrejtësitë e jetës, e për këtë është urgjente kthimi i zemrës, largimi nga egoizmi, bashkëndarja e të mirave.

“Kanë Moisiun dhe profetët; le t’i dëgjojnë ata”. Si të thuash, për t’u kthyer njeriu nuk ka nevojë për gjëra të jashtëzakonshme, duhet vetëm të dëgjojë dhe të zbatojë fjalën e Hyjit, që kërkon përgjegjësi shoqërore ndaj të varfërve. Por për të dëgjuar Fjalën e Hyjit, duhet të kemi një zemër të hapur e të gatshme. Nëse zemra është ngurtësuar nga egoizmi e nuk interesohet për Hyjin e të afërmin, atëherë edhe mrekullitë janë të kota.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, në Ungjillin e sotëm Jezusi dënon padrejtësitë. T’i kërkojmë Atij që të jemi më të gatshëm përballë të varfërve dhe të vuajturve. Të lutemi së bashku e të themi:

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën: që barinjtë dhe besimtarët të ndihen sa më të angazhuar në nismat e bamirësisë në favor të më të varfërve. Të lutemi

L. Për përgjegjësit e jetës politike dhe shoqërore: që të bëjnë të rriten të drejtat e më të dobtëve dhe të pambrojturve. Të lutemi

L. Për kombet më të varfra: që edhe ato të bëhen pjesëmarrëse të një ndarjeje sa më të drejtë të pasurisë botërore. Të lutemi

L. Për ne: që të mundohemi të jetojmë në thjeshtësi, në liri e në dashuri kundrejt të afërmit që ka nevojë. Të lutemi

M. Zot, që do jesh gjykatësi në fund të kohëve dhe të historisë, na bëj të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe vëllazërore. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpëndaje: