E diela IV e Ardhjes – Viti A
Leximi i parë Is 7, 10-14
Bashkësia e Izraelit është e shkurajuar. Prej shumë kohësh i ka kërkuar Hyjit të ndërhyjë, por Ai nuk ka dhënë ndonjë shenjë ndihme. Mbreti Akaz nuk ka shpresë në ndihmën hyjnore dhe kërkon të bëjë besëlidhje me popujt e afërt, por profeti e di se Hyji do të ndërhyjë dhe parashpall një shenjë të jashtëzakonshme: lindja e një fëmije do të shprehë praninë e Hyjit mes njerëzve. Kisha rinjeh në këtë profeci amësinë hyjnore të Marisë.
Lexim prej Librit të Isaisë Profet
Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: “Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e nëntokës qoftë në lartësinë e qiellit.” Akazi përgjigji: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!” Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’u bëni mërzi njerëzve e tash doni ta mërzitni edhe Hyjin tim? Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!” Fjala e Zotit.
Psalmi 24
Ref: Ja, po vjen Zoti, mbreti i lavdisë
—————————————
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
—————————————
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk përbehet në rrenë.
—————————————
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
—————————————
Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
E kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i ushtrive, ai vetë është Mbreti i lavdisë!
—————————————
Leximi i dytë Rom 1, 1 – 7
Pali prezanton misterin e Krishtit në dy kohë të vazhdueshme. Së pari njeriun Jezus, birin e Davidit, një njeri të varfër dhe të panjohur duke pasur paraardhës ashtu si çdo njeri tjetër. Së dyti e prezanton të Ngjallurin, jeta mbinatyrore e të cilit është vetë jeta e Hyjit. Të gjithë ne, të dashur prej Hyjit, shërbëtorë të Krishtit, bëjmë pjesë në këtë plan të Atit që të bëhemi të shenjtë në Jezu Krishtin për t’i shpallur botës besimin.
Leximi prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur pët të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit – të cilin Hyji e kishte premtuar qysh më parë me anë të profetëve të vet në shkrimet e shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit, por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i biem në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit: të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve: Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!
Aleluja.
Ungjilli Mt 1,18-24
Hyji thërret edhe Jozefin për të bashkëpunuar në mishërimin e Birit të Hyjit, duke marr detyrën për të përfshirë ligjërisht Jezusin në familjen e Davidit. Mishërimi ndodh me bashkëpunimin e njerëzve. Në kundërshtim me mbretin Akaz, Jozefi pranon shenjën e fëmijës, lindur nga Virgjëra duke shpërfillur çdo frikë dhe rrezik.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta publikonte çështjen, mendoi ta lëshojë fshehtazi. Posa në mendje të vet vendosi të bëjë kështu, ja se, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija.” E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: “Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!” Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. Fjala e Zotit.
POROSIA
Ekzistojnë pyetje që vetëm në Hyjin gjejnë përgjigje. Po kush është babai i vërtetë i Jezusit? Është një pyetje që e bën sot edhe Jozefi.
“Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu”: Mateu shpjegon se amësia e Marisë është vepër e Shpirtit Shenjt, pra e Hyjit. Jezusi ka një origjinë hyjnore.
“Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë …” Jozefi duke mos marrë pjesë në këtë amësi, do të ndjekë Ligjin e Zotit e të mbrojë Marinë nga një çnderim publik.
“Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde”. Engjëlli e siguron Jozefin se fëmija ka lindur në Marinë nga Shpirti Shenjt dhe është Biri i Hyjit. Është ftuar të bashkëpunojë me veprën hyjnore, ashtu siç i ishte kërkuar edhe Marisë.
“Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus”. Maria do të jetë nëna natyrore e këtij fëmije e Jozefi, si bashkëshorti i Marisë, ati ligjor i tij. Jezus domethënë Hyji shpëton. Misioni i këtij fëmije është të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet.
“Do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjisin emrin Emanuel”. Emri Ema-nuel, Hyji me ne, pohon identitetin e Birit të Hyjit dhe idenë që ai do të jetë i pranishëm mes të tijve përfundimisht pas Ngjitjes së tij në qiell.
“Jozefi … bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit”. Në Jozefin kemi shembullin e njeriut të besimit që dëgjon e vë në jetë Fjalën e Hyjit. Ai ashtu si Maria bashkëpunon në planin e shpëtimit të Hyjit. Me Jozefin dhe Marinë, çdo besimtar është ftuar të dëgjojë e të zbatojë Fjalën e Hyjit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, për Krishtlindje do të rijetojmë misterin e mishërimit të Birit të Hyjit. T’i kërkojmë Hyjit që ta kuptojmë plotësisht domethënien e kësaj ngjarjeje.
L. Të lutemi së bashku duke thënë: Eja, o Zot Jezus.
L. Për Kishën: që ta tregojë gjithnjë e më shumë në botë praninë e Fjalës së mëshiruar me zgjedhjet e saj baritore. Të lutemi.
L. Për përfaqësuesit e shoqërisë qytetare: që të ndërhyjnë në mënyrë të drejtë për të bërë ligje në favor të njeriut dhe të dinjitetit të tij. Të lutemi.
L. Për famullinë tonë: që nën shembullin e shën Jozefit, të jetë vigjilente dhe e gatshme për nevojat e të varfërve. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm: që të jemi gati për të pranuar Birin e Hyjit me një angazhim të ripërtërirë besimi, shprese dhe mirësie. Të lutemi.
M. O Zot Jezus, Ti je Emanueli, Zoti me ne. Na ndihmo ta kuptojmë misterin tënd të dashurisë, për të cilin na ke çliruar nga mëkati dhe nga vdekja. Ti që jeton e mbretëron me Atin dhe Shpirtin Shenjt në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)