Kremtimi i sakramentit të rrëfimit për të krishterin është takim me Zotin e mëshirshëm, që është mik dhe vëlla i yni, i cili të pranon pa të gjykuar. Ai na mundëson të rinisim përherë një ecje të re, saherë që kemi nevojë, kur jeta peshon rëndë me brishtësinë e “padurushme”, moliset… Në këto momente të gjithë kemi nevojë për hirin e Zotit, që na dhurohet përmes sakramentit të rrëfimit. Por, jo vetëm kjo, por dëshira për ta ndjerë përqafimin e Zotit të mëshirshëm, që më ngroh e më bën ta dua vetveten e tjetrin që e bashkëndan jetën me mua në këtë botë.
Para se të hyj në rrëfyestore
Përqendrohem në heshtje në praninë e Hyjit. Me ndihmën e shndritjes së Tij, shqyrtoj jetën time (mund të shërbehem me skemën që gjendet në këtë shkrim. Shiko më poshtë). Të pëshpëriti me ata që i kem afër nuk më ndihmon, përkundrazi kjo më shpërqendron dhe e pengoj tjetrin që të përgatitet. Prandaj, pres në qetësi radhën time i mbushur më gëzimin e takimit me Mëshirën e Zotit.
Brenda rrëfyestores
Kur hyj në rrëfyestore e përshëndes meshtarin me përshëndetjen katolike tradicionale “Qoftë lëvdua Jezu Krishtit”. Nëse e shoh të arsyeshme prezantohem. Është një ndihmë për të kremtuar sakramentin si vëllezër. Tregoj kur ka qenë rrëfimi i fundit. Nëse nuk më kujtohet, atëherë mund ta tregoj kohën e përafërt. I rrëfej mëkatet e mia, mungesat dhe lëshimet, e nën dritën e Ungjillit mund t’i tregoj anët pozitive të jetës sime. Pastaj i dëgjoj me kujdes fjalët e meshtarit, të cilat më ndihmojmë ta kuptoj gjendjen time dhe çfarë duhet të ndërmarr për ta përmirësuar atë. E pranoj pendesën, që është shenjë e vullnetit tim për të filluar një jetë të re. E shprehi pendimin tim edhe një herë me lutjen Puna e pendimit. E pranoj zgjidhjen e mëkateve. Marr mbi vete detyrën të jam i/e dërguar që të shpall shëlbimin e Zotit me fjalë dhe me vepra.
Kur të dal nga rrëfimi, në gjunjë ose ulur në heshtje lutem dhe e falënderoj Zotin për këtë moment hiri që ma ka dhuruar.
NJË SKEMË për të shqyrtuar jetën/ndërgjegjen time para se të kremtoj sakramentin e rrëfimit:
SOT ATI IM MË PRET: DUA TË SHKOJ TEK AI
Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha të atit:
‘Baba, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Atëherë shkoi… Shpenzoi gjithçka pati… filloi ta sprovojë skamjen… erdhi ne vete e tha: “Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O Atë, rashë në mëkat…”
Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi… I Ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani… sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall…”
Shqyrto mbi gjendjen tënd si mëkatar dhe mbi mëshirën e Zotit.
- “Unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.” (Mt 9,13)
- “Në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.” (Lk 15, 7)
- “Në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve;por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.” (Mt 6, 14-15)
- Zoja e Bekuar ka thënë në Fatima: “Është e nevojshme që njerëzimi të ndryshojë: të mos e fyejë më Zotin tonë, që tashmë është shumë i fyer”. (13.10.1917)
SHQYRTO NDËRGJEGJEN TËNDE që të kujtosh dhe të njohësh mëkatet e tua.
I – Duaje Zotin, Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde . . .
- Kush është Zoti për mua?
- Besoj në dashurinë e tij?
- Çfarë vendi zë Hyji në jetën time? E dua më të vërtetë Hyjin, me gjithë zemrën time apo shqetësohem vetëm për gjëra materiale – punë, tregti, pasuri, mirëqenie të përkohshme?
- E lexoj dhe e dëgjoj Fjalën e Tij, Ungjillin? E kultivoj fenë dhe formimin tim të krishterë duke marrë pjesë në katekizëm, duke lexuar Biblën, etj?
- Lutem çdo ditë dhe a bëj që e gjithë familja ime të lutët? Marrë pjesë rregullisht në Meshë çdo të diele dhe festa apo mungoj pa asnjë arsye?
- Ja paraqes Zotit punën, studimet, vuajtjet? Në vështirësi i drejtohem Zotit me fe dhe qëndrueshmëri apo i drejtohem faltoreve apo gjërave të tilla? Kam premtuar se do t’i plotësoj këshillat e tyre?
- Bashkëpunoj në aktivitete pastorale të famullisë sime apo jetoj krejtësisht indiferent dhe larg tyre?
- I kritikoj bashkëvëllezërit e mi në fe apo ironizoj punën e tyre në bashkësinë famullitare, ndërsa unë nuk jam i angazhuar në asnjë veprimtari?
II – …dhe të afërmin tënd por si vetveten!
- I dua dhe i respektoj të moshuarit? Respektoj të mirat e të tjerëve? Kam refuzuar pa arsye që t’i ndihmojë të tjerët në nevojë? Ja kushtoj një pjesë të kohës sime të sëmurëve, të dëbuarve dhe katekizmit? Për aq sa më takon mua i mbroj të shtypurit, i ndihmoj të palumturit, të huajtë, ata të kombit tjetër?
- Jam në gjendje të pajtohem me tjetrin dhe të fal?
- Si burrë dhe grua: jemi besnik njëri-tjetrit dhe a duhemi me të vërtetë? A i pranojmë si dhuratë e Zotit fëmijët apo kërkojmë për t’i zhdukur përmes abortit? Shoh në tjetrin një prani dashurie dhe shërbimi apo vetëm një objekt për ta poseduar?
- A këshilloj dhe a bashkëpunoj për të ndihmuar tjerët që mos të abortojnë?
- E respektoj lidhjen dhe a i ndihmoj çiftet tjera në besnikëri?
- Si babë apo nënë: jam i/e përgjegjshëm në edukimin dhe formimin e krishterë të fëmijëve të mi? Jam shumë kërkues dhe jo tolerant me mangësitë duke krijuar grindje të panevojshme?
- Si fëmijë: jam i dëgjueshëm dhe i respektoj prindërit e mi? A i ndihmoj në nevoja shpirtërore dhe materiale? I dua vëllezërit dhe motrat e mia?
- I bashkëndaj të mirat me të tjerët që janë më të varfër se unë? Jam dorështrënguar dhe egoist, duke dashur gjithmonë më të mirën vetëm për vetën time? A kam përvetësuar pronat e të tjerëve? Respektoj atë çka i përket shoqërisë? Jam xheloz ndaj atyre që kanë më shumë se unë?
Mëkatet – nuk janë vetëm një varg i thjeshtë mangësie apo thyerje, por janë gjithashtu edhe bashkëpunimi ynë më të keqen që është sot në botë përreth nesh: mosbesimi, mospërfillja, egoizmi, dhuna, erotizmi, përbuzja e të dobëtëve, racizmi, harrimi i të varfërve, gara shfrenuese për parà, sjelljet e turpshme, shpirti i dominimit, përfitimi në kurriz të tjetrit, etj.
Çdo MËKAT personal e ka një DIMENSION shoqëror apo bashkësior, që peshon mbi Korpin e Krishtit të cilin e formojmë ne së bashku .
Çdo MËKAT duhet të nxisë në ne një PENDIM të përvujtë e një kërkim të sinqertë për FALJE.
Në takimin tim personal me Meshtarin
e kuptoj se unë vlej shumë për Zotin.
Secili prej nesh është i VEÇANTË para syve të Tij
PUNA E PENDIMIT
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë: se kam bjerrë parrizin, kam merituar ferrin. Por, më fort po më vjen keq se Të kam fyer Ty, o e Mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë , o Zot! Më fal, o Zot! Po ta jap fjalën, se me ndihmën Tënde, nuk do të fyej më kurrë. Amen.
Zot Jezus, ti e pëlqeje të të quanin mik i mëkatarëve, në saje të misterit të Vdekjes dhe të Ringjalljes Sate, më liro nga mëkatet e mia e ma dhuro paqen tënde, që të mund të sjell fryte të dashurisë, të drejtësisë dhe të së vërtetës./drita.info