Veprat që i bëjmë, tregojnë kush jemi!

E diela III e Ardhjes – viti A

 

 

Leximi i parë   Is 35, 1-6.8.10

Profeti Isaia shpall që Hyji do të vijë. Ai na thotë: pranvera po lulëzon, shërimi është afër, guximi po kthehet, njeriu po gjen lirinë e tij të vërtetë, mërgimtarët kthehen në atdhe, vëllezërit që ishin larg takohen. Sytë e të verbërit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memeci bërtet me gëzim. Hyji ynë na vjen në takim.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papër-shkueshme, le të galdojnë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë! Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepni gjunjve të marrakotur! Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shur-dhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet udha e shenjtë: i papastri nëpër të s’do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesja. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  146

 

Ref: Eja, o Zot, e na shpëto

——————————–

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

——————————–

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

——————————–

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

——————————–

 

Leximi i dytë    Jak 5, 7-10

Në dimër toka shfaqet jopjellore, por bora fsheh nën vete farën dhe e mbron. Duhet durimi i fortë i bujkut që ka besim në tokën dhe pret me siguri prodhimin. Edhe njerëzit ndonjëherë kanë një pamje të mjerë, por nuk duhet të ndalemi në pamjen e jashtme, meqë hiri i Hyjit vepron në brendësi dhe shndërron. Ne presim ripërtëritjen e të gjitha gjërave. Në mes të dimrit ne mendojmë për pranverën.

 

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të deri ta kapë shiu i lashtë dhe i voni. Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua! Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit, që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes edhe të dureses profetët që folën në emër të Zotit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.

Aleluja.

 

 

Ungjilli    Mt 11, 2-11

Gjon Pagëzuesi është i tronditur: Jezusi ndoshta nuk është Mesia që priste: nuk ndëshkon por shëron, nuk dënon madje dhuron jetën. Ai gjendet në burg dhe dëshiron të njohë nëse Jezusi është me të vërtetë Mesia. Përgjigja e Jezusit dhënë nxënësve të Gjonit pohon që Jezusi është me të vërtetë i dërguari i Hyjit për shpëtimin e njerëzve. Në fakt me ardhjen e Jezusit të vërbërit shohin, të paralizuarit ecin dhe të varfërve u shpallet lajmi i mirë.  Hyji vjen të na takojë në faktet konkrete të përditshme e në qetësi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur: “A je ti Ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?” Jezusi i përgjigji: “Shkoni e tregoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli.  I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!” Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: “Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që luhat era? Apo çka dolët të shihni? Njeriun që veshet në petka të bukura? Qe, ata që veshen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’ Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi; megjithatë më i vogli në Mbretërinë e qiellit ësht më i madh se ai.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Sot bota ka nevojë për dëshmitarë të vërtetë të Krishtit, për persona që flasin jo në emrin e tyre por në emër të Ungjillit, duke jetuar atë që thonë.

Gjoni në burg dëgjon të flitet për veprat e Jezusit dhe dërgon dishepujt e tij, për ta pyetur: “A je ti Ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?” Gjoni kishte një ide për Mesinë, që nuk përkonte me të vepruarit e Jezusit, i cili nuk ishte një çlirimtar politik dhe ushtarak, një rindërtues fetar, një gjykatës i drejtë i historisë.

“Shkoni dhe tregoni Gjonit çka po dëgjoni dhe shikoni”. Jezusi fton të shohin veprat e tij: shërimet ishin shenja e ardhjes së erës mesianike. “I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!” Është ftesa që t’i hapemi me besim të resë së Jezusit dhe të njohim se Ai është Mesia.

“Çka dolët të shihni në shkreti?”. Jezusi pyet turmën se çfarë kërkonte dhe çfarë kanë parë në Gjonin. Ai bën pothuajse një krahasim mes figurës së rreptë dhe koherente të Gjonit dhe luksit bosh dhe arrogant të Herodit.

“Po, unë po ju them: madje është më tepër se një profet”. Gjoni është ai që përgatit ardhjen e Mbretërisë së Hyjit, meqë ka treguar Mesinë mes njerëzve. “Ndër ata që u lindën prej grash nuk lindi asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi” Ai nuk është mësuesi i sigurive, por kërkues i së vërtetës, di të dyshojë mbi veten dhe të dëgjojë: për këtë është më i madhi ndër profetët. Gjoni bëhet një model shenjtërimi i jetuar, sepse përgatit rrugën e Krishtit që po vjen.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, kemi dëgjuar premtimin e profetit Isaia: ne besojmë që një ditë do të rilulëzojnë shkretëtira dhe stepa, por akoma dhe më shumë presim me besim që zemrat e lodhura të rimarrin jetë dhe guxim.

L. Për këtë lutemi me besim: Na jep, o Zot, shpresën e zemrës.

L. Për Papën, ipeshkëvijtë, meshtarët, që duke i shpallur botës lajmin e mirë të dashurisë pa interes dhe të plotë të Hyjit për bijtë e tij, të jenë përcjellës të mesazhit të paqes dhe të shpresës. Të lutemi.

L. Për të gjithë ne besimtarët në Krishtin, që të ripërtërijmë besimin tonë në të dhe të rizgjojmë hirin e Pagëzimit tonë. Të lutemi.

L. Për mjekët, personelin shëndetësor dhe ata njerëz që çdo ditë luftojnë për t’u kujdesur për shëndetin dhe për të lehtësuar vuajtjet. Të lutemi.

L. Për të gjithë ne, që duke marrë pjesë në jetën e bashkësisë, të përgatitemi për Krishtlindje, që pritja jonë të jetë e përbërë nga lutja, nga vëmendja ndaj të tjerëve, nga solidariteti. Të lutemi.

M. O Hyj, që aq shumë e deshe botën sa dhe Birin tënd të vetëm si Shpëtimtar, dëgjoje lutjen e kësaj familjeje të bashkuar përpara Teje dhe, me ndërmjetësinë e së lumes Virgjër Mari, jepu të gjithë popujve të tokës dhuratat e vëllazërisë dhe të paqes të sjella nga Mesia. Për Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: