Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit

E diela II e Ardhjes – Viti A

 

 

Leximi i parë   Is 11,1-10

Isaia na prezanton imazhin e një shoqërie të përsosur, ku nevojat e vërteta të çdo personi dhe ato të bashkësisë realizohen së bashku konkretisht dhe në harmoni. Në qendër të kësaj nevoje qëndron paqja; paqja arrihet me drejtësi, dhe drejtësia vjen nga Shpirti i Hyjit që është dashuria. Isaia profet, tetë shekuj para lindjes së Mesisë e lajmëronte Krishtin Shëlbues se do të pajtonte krijesat me Krijuesin duke derdhur gjakun e vet.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijet. Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulo-hen me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  72

 

Ref: Eja, o Zot, mbret i drejtësisë dhe i paqes.

—————————————-

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd

dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi

e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

—————————————-

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej lumit e deri në skajin e botës.

—————————————-

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,

të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,

dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

—————————————-

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,

sa të jetë dielli mos iu harroftë emri!

Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut,

të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

—————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 15, 4 – 9

Pali ndërsa mendon për konfliktet e ndodhura në kishën primitive, paraqet përsëri shembullin dhe urdhërimin e Krishtit: të jemi njerëz të rinj në dashuri. Të krishterët e çdo kohe kanë tradhëtuar bashkimin. Hyji ka bërë bashkim me njerëzit pa tradhëtuar personalitetin e Tij, kështu edhe njeriu mund t’i dojë të gjithë duke luftuar kundër së keqes dhe duke qëndruar besnik ndaj së vërtetës dhe vetvetes. 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi shenjt, të kemi shpresë. E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Prandaj, pranoni njëri-tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi shenjt: “Prandaj do të lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë emrit tënd!” Fjala e Zotit

 

 

Aleluja.

Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.

Aleluja.

 

 

Ungjilli    Mt 3, 1 -12

Ungjilli tregon për Gjon Pagëzuesin. Ai shpall se kthimi i zemrës është kusht për të takuar Zotin që po vjen.  Është një gjë pa kuptim të kryesh rite pastrimi pa dëshiruar ripërtëritjen e jetës sate dhe të bashkësisë sate. Nuk mund të ketë pagëzim pa ndryshimin e mentalitetit.  Pagëzimi ynë duhet të na ripërtërijë çdo ditë në shpirtin e Hyjit dhe duhet të shkëlqejë në ne dashuria e tij. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’” Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan. Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!” sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalët: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”  Fjala e Zotit

 

 

POROSIA

Në historinë njerëzore ndodhin fakte që shënojnë fundin e një epoke e fillimin e një tjetre. Gjon Pagëzuesi është pika lidhëse mes historisë së vjetër e asaj të re që duhet akoma të lindë.

“Kthehuni, sepse mbretëria e qiellit është afër!”. Jezusi do të fillojë predikimin me të njëjtat fjalë. Nga momenti që plotësia e pranisë së Hyjit është afruar duhet të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën tonë për të kuptuar jetën fetare e shoqërore.

“Atëherë Jeruzalemi, e gjithë Judea dhe e gjithë zona përgjatë Jordanit vraponin tek ai”. Ndërsa Gjoni pagëzonte ndodhte rrëfimi i mëkateve, që tregon pendesën e njeriut e gatishmërinë e Hyjit ndaj faljes.

“Duke parë shumë farisej e saducej të vijnë në pagëzimin e tij, u thotë atyre: ‘Pjellë shlligash!’”. Nuk mjafton një praktikë fetare e jashtme për t’ia mbathur nga gjykimi i ardhshëm i Hyjit: është një thirrje e vlefshme edhe për ne. “As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’”. Jo nga “meritat e etërve” rrjedh automatikisht shpëtimi për ne, por nga një ndryshim i mentalitetit e nga besimi në Hyjin. “Ai që do të vijë pas meje … do t’ju pagëzojë në Shpirtin Shenjt e në zjarr”.

Nëse Jezusi është më lart se Gjoni edhe pagëzimi i Jezusit ka një vlerë më të lartë, sepse do të realizohet jo me ujë, por me fuqinë e Hyjit që pastron dhe shpëton. Mëshira e Hyjit e forca e Shpirtit të tij do të dinë të fshijnë çdo mëkat tonin nëse hapemi me besim ndaj veprimit të tij.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, kemi filluar ecjen e përgatitjes për Krishtlindje. Edhe ne, ashtu si profeti Isaia, dëshirojmë një botë paqeje e drejtësie.  Dimë që në hirin e Zotit duhet të arrijë bashkëpunimi ynë: për këtë kemi nevojë të kthehemi.

L. Të lutemi duke thënë: O Zot, na udhëhiq në rrugën tënde të shpëtimit.

L. Për Kishën, që në të të mos mungojnë kurrë profetët, si Gjon Pagëzuesi, të gatshëm për të nxitur njerëzit e sotëm në një vendim ndryshimi të jetës. Të lutemi

L. Për popujt që vuajnë për shkak të luftës, që tragjedia e tyre njerëzore të na bëjë më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të tyre. Të lutemi.

L. Për të gjithë ata që janë thirrur për të udhëhequr bashkësitë tona, që të ndriçuar nga Shpirti Shenjt të dinë të marrin vendime të drejta për të varfërit dhe të shtypurit. Të lutemi.

L. Për ne që, nga fjala e Hyjit e lexuar dhe e medituar, të ndihemi të gatshëm për të kryer ecje të reja drejtësie dhe mirësie. Të lutemi.

M. O Hyj, Atë i të varfërve, dëgjoji lutjet tona dhe dërgo mbi njerëzimin e vuajtur dhuratat e mëshirës sate: atyre që besojnë në ardhjen e Birit tënd, t’u jepet liria nga të gjithë të këqijat, falja e fajeve, gëzimi për të parë shpëtimin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: