Krishtlindja – mesha e natës/ viti A
Leximi i parë Is 9, 1-3.5-6
Hebrenjtë nën sundimin e asirianëve luteshin kështu: “Ardhtë një njeri për ne në portat e qytetit!”. Është thirrja e një populli të shtypur dhe të braktisur që pret njeriun e shpëtimit. Dhe njeriu i shumëpritur vjen mes nesh, por është një foshnje, i varfër dhe i padobishëm. Në vend që të na ndihmojë Ai kërkon ndihmë prej nesh. Është një foshnje që na kërkon të angazhohemi me të gjitha forcat tona për paqen dhe dinjitetin e njeriut.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijës së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do t’ ketë mbarim mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Qysh tash e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive. Fjala e Zotit.
Psalmi 96
Ref: Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot
———————————-
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.
———————————-
Shpalleni si një ditë për ditë
shpëtimin e tij,
kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
———————————-
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve.
———————————-
Leximi i dytë Tit 2, 11-14
Në këtë natë nuk festojmë vetëm lindjen mallëngjyese të një foshnje të ardhur në botë në varfërinë e një stalle. Shën Pali pohon se kjo foshnje është Hyji që është bërë i dukshëm, është shpëtimi ynë. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit.
Aleluja
Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!
Aleluja
Ungjilli Lk 2, 1-14
Në një fshat të panjohur të Judesë, të shtypur nga romanët, lind një foshnje, shenjë e shpresës. Lindja e Jezusit nuk merret vesh nga të mëdhenjtë e kësaj bote, por njihet nga një grup barinjsh si Mesia i shumëpritur. Lindja e tij është realizimi i profecive të vjetra dhe shpallja e një ngjarjeje të ardhme: Pashkët e çlirimit.
Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës.Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. Të gjithë shkonin të regjistrohen, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, mbasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë. Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet – të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta. Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit u shndriti e ata u trembën për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnje të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.” Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste: “Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Njeriu i djeshëm, i sotëm, e i nesërm ka nevojë të marrë një lajm si ky: ekziston një Shpëtimtar, Hyji e ka dërguar edhe për ty, për dashuri të pastër. Ai nuk zgjidh problemet e përditshme që na shqetësojnë, por i përgjigjet problemit që banon në secilin prej nesh: Nga vij? Çfarë kuptimi ka jeta? Kush jam unë?
“Unë po ju shpall një lajm të mirë: sot lindi për ju Shpëtimtari”. Nëse ti e pranon, atëherë ky “gëzim i madh” bëhet përvoja jote e përditshme, sepse ai është “Shpëtimtari”, “Krishti” dhe “Zoti”. Shpëtimi të vjen nga një i vogël, nga një fëmijë i dobët e i paarmatosur. Shpëtimi është një fëmijë.
“Ajo lindi djalin e vet – të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd…”. Një lindje e tillë nuk është një përrallë: është një ngjarje e historisë fakti që Hyji na ka dhuruar Shpëtimtarin, me të cilin çdo njeri duhet të përballet.
“Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore”. Në këtë fëmijë shfaqet në pafundësi “lavdia” e Hyjit, domethënë plotësia e jetës dhe e mëshirës së Hyjit. Nga ajo rrjedh “paqja mbi tokë njerëzve që Ai do”. Paqe – domethënë bashkimi i përsosur me Hyjin dhe mes vëllezërve – për njerëzit e mbështjellë nga dashuria e pafund e Zotit.
Ai që prej amshimit ishte Hyji, u bë “mish”, domethënë “njeri” në tërë dobësinë e tij. Nëpërmjet Birit të bërë njeri, është e tërë Trinia që zbulohet dhe dhurohet, duke hyrë në marrëdhënie dashurie me njerëzit e duke i thirrur të marrin pjesë në jetën e Familjes Hyjnore.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, në këtë natë të shenjtë në të cilën ka lindur Biri i Virgjërës Nënë, Emanueli Zoti-me-ne, të bashkohemi me të gjithë ata që besojnë dhe shpresojnë në shpëtimin e realizuar nga Zoti Jezus.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na shpëto, o Zot Jezus.
L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët: që të jenë të aftë të transmetojnë besimin në Zotin Jezus, lindur në Betlehem, edhe duke treguar rrugë të reja ungjillizimi për njerëzit e kohës sonë. Të lutemi.
L. Për Kishën: që të pranojë me gëzim praninë e Jezusit, Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë, duke kremtuar sakramentet dhe duke dëshmuar bamirësinë. Të lutemi.
L. Për të gjithë njerëzit: që prania e Birit të Hyjit të na bëjë të aftë për bashkëndarje e vëllazërim me atë që vuan dhe atë që është vetëm. Të lutemi.
L. Për ne: që drita e Krishtlindjes të hapë zemrën tonë në praninë e Zotit që vepron në jetën tonë e na nxit të jetojmë në gëzim e në qetësi për t’i dhënë një shtytje të re bashkimit vëllazëror. Të lutemi.
M. O Atë i shenjtë: me lindjen e Birit tënd Jezus, ke ardhur për të shpëtuar çdo njeri: bëje Kishën tënde të shpërndajë deri në ekstremin e tokës lajmin e gëzuar të mishërimit, që i gjithë njerëzimi të marrë pjesë në lavdërimin dhe lavdinë e emrit tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)