E gjithë toka ka parë shpëtimin e Zotit

Krishtlindja – Mesha e ditës – Viti A

 

 

Leximi i parë   Is 52, 7-10

Kur një populli i është hequr liria e tij për shkak të një regjimi të poshtër, dhe kupton që është afër momenti i çlirimit të tij, atëherë ky popull jeton me padurim deri në ditën e çlirimit të tij. Banorët e Jeruzalemit prisnin me padurim ardhjen e atij që sillte lajmin e mirë të paqes. Edhe Kisha, që jemi ne, pret të njëjtin lajm të mirë. Hyji tashmë e ka realizuar këtë pritje: Mesia ka lindur mbi tokën tonë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmin e mirë të paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: ‘Zoti yt mbretëron!’ Dëgjo! Rojet tua të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin! Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  98

Ref: Mbarë toka e pa shëlbimin e Zotit

————————————-

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

————————————-

Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,

përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet

ndaj shtëpisë së Izraelit.

————————————-

Të gjitha skajet e botës e panë

shëlbimin e Hyjit tonë.

Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,

le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.

————————————-

Këndoni Zotit me harpë,

me tinguj veglash muzikore,

me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,

brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

————————————-

Leximi i dytë   Heb 1, 1-6

Foshnja që tashmë gjendet në grazhd është fjala më e lartë e Hyjit. Ky fëmijë që vjen mes nesh, është pikërisht Ai që mbështet botën. Nëpërmjet tij Hyji na zbulon gjithçka.  Ky fëmijë fton njeriun të hyjë në marrdhënie me Hyjin.  Për Krishtlindje Zoti na thotë: “Në Jezu Krishtin, Birin tim, do të jem për ty një Atë dhe ti do të jesh për mua një bir”.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është shkëlqimi i lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin! Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjë herë: “Ti je im Bir; unë sot të linda”? Dhe prapë: “Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir”? Dhe prapë, kur përsëri shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!” Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Një ditë e shenjtë, lindi për ne: ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin; sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 1,1-18

Për Gjonin ungjilltar Fjala ekzistonte që prej amshimit në Hyjin dhe merrte pjesë në veprën e krijimit. Erdhi mbi tokë për të kryer misionin që i ishte besuar nga Ati: t’u zbulonte dashurinë e Hyjit njerëzve. Fjala e Hyjit, veta e dytë e Trinisë së Shenjtë bëhet njeri në kraharorin e Virgjërës Mari, për t’i dhënë atij që e pranon dhe atij që beson në Të, pushtetin për t’u bërë bij të Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta ështe drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.  Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Krishtlindja nuk është një përrallë e bukur, por është një ngjarje historike-hyjnore, që ka ndryshuar ecjen e historisë.

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj”. Personi që hyn në skenë është vetë Hyji, Fjala që na komunikohet neve, e na zbulon se ajo jeton që prej amshimit, që ka krijuar gjithçka që ekziston, se Ajo është drita që ndriçon errësirat më të thella të zemrës njerëzore.

“Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan”. Është misteri i madh i verbërisë njerëzore: njeriu refuzon të shohë e të njohë identitetin e Jezusit, e të besojë në Të.

“E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”. Fjala, që prej amshimit është Plotësia e pafund e qenies dhe e jetës, dhe trupi, që tregon njeriun në dobësinë e tij thelbësore, janë bashkuar në dashuri. Biri i Hyjit hyn në racën njerëzore, duke bashkëndarë gëzime e vuajtje deri në përvojën e vdekjes. Ai, Bukuria, e Vërteta, Drejtësia, Gëzimi dhe Dashuria “u bë njeri”, duke lindur nga një grua, duke ecur në rrugët e botës, për të na bërë vëllezër e të lumtur me vetë lumturinë e tij.

“Atyre që e kanë pranuar u ka dhënë fuqinë të bëhen bij të Hyjit”. Biri i Hyjit duke marrë prej nesh natyrën njerëzore, në këmbim na dhuron bijësinë e tij hyjnore. Ai na bashkon me vetveten, na bën të aftë e na fton ta thërrasim Hyj, bashkë Të, me emrin “Abbà”, baba. E bëhemi bij të Atit kur jeta jonë ndriçohet me gjeste konkrete mirësie, solidariteti dhe drejtësie.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, Hyji është bërë njëri prej nesh, në Krishtin Jezus. Ai mund të kuptojë të gjitha situatat tona, nuk jemi më të vetmuar, për këtë mund t’i drejtohemi atij me besim:

L. Të lutemi së bashku e të themi: Shpëtoje popullin tënd, o Zot.

L. Për Kishën e shenjtë që të jetë gjithmonë e guximshme në shpalljen e ardhjes së Birit të Hyjit mbi tokë. Të lutemi

L. Për të gjithë besimtarët që të ndjejnë nevojën për të qenë misionarë, për të mos e mbajtur për vete “Lajmin e Mirë” të Jezusit. Të lutemi

L. Që hiri i kësaj dite të shenjtë të mund të sjellë dritë në jetën e atyre që nuk besojnë. Të lutemi

L. Që bashkësia jonë, nën shembullin e Virgjërës Mari dhe shën Jozefit, të mësojë të pranojë hirin e lindjes së Krishtit dhe t’i përgjigjet me jetën. Të lutemi

M. O Atë i amshuar, që ke vendosur në Virgjërën Mari fronin e Diturisë sate, me ndërmjetësinë e saj dëgjoji zërat tanë: ndriçoje Kishën me dritën e Fjalës së jetës, që nën shkëlqimin e së vërtetës të ecë në plotësinë e misterit tënd të dashurisë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: