Hyji dërgoi Birin e vet të lindur nga një grua

E kremtja e Virgjërës Mari Hyjlindëse – Viti A

 

 

Leximi i parë   Nr 6, 22-27

Ky lexim tregon bekimin që priftërinjtë hebrenj i jepnin popullit në fund të festave të mëdha liturgjike, në veçanti në festën e Vitit të Ri. Të bësh urimet apo të bekosh dikë do të thotë se lumturia e një njeriu nuk varet vetëm nga ai. Nuk është e mjaftueshme të urosh të mirën, por sidomos ne duhet ta bëjmë të mirën. Mund të bekojë apo të bëjë urime vetëm ai që bën të mirën. 

 

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqën! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi 67

 

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

—————————————-

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

—————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

—————————————-

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

—————————————-

 

Leximi i dytë   Gal 4, 4-7

Shën Pali shpall që me lindjen e Krishtit, Birit të Hyjit, historia e njerëzve ka arritur plotësinë dhe përsosmërinë e saj. Pa të ishim skllevër, tani jemi bërë bij të Hyjit. Krishti është bërë njeri që edhe ne të mund të themi me të: “Ati ynë”

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit.

 

 

 

Aleluja

Herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, Hyji u foli etërve me anë të profetëve; së fundi sot, na foli edhe neve me anën e Birit.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 2, 16-21

Ungjilli paraqet takimin e barinjve me Jezusin në krahët e Marisë, gruan e dëgjesës dhe të meditimit. Pastaj tregohet që tetë ditë pas lindjes fëmija rrethpritet.  Rrethprerja ishte riti me të cilin mund të bëhej pjestar i popullit të zgjedhur, duke marrë një emër që shprehte tamam projektin e Hyjit për këtë person në  popullin e Izraelit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Lind një vit i ri. Koha që kalon është një dhuratë, të cilën Hyji na e ofron ta përdorim me përgjegjësi. Të gjitha çastet që kemi jetuar në dashuri të vërtetë bëhen të përjetshme si Hyji-Dashuri.

Zoti të bekoftë e të ruajtë”. Hyji nuk na braktis, por na mbron me praninë e tij të efektshme të dashurisë. Jezusi është bekimi që Hyji i jep njerëzimit, fytyra e shndritshme e Hyjit dhe e dashurisë së Tij për ne.

“Ju shpall një gëzim të madh”. Ba-rinjtë marrin lajmin e mirë dhe na e komunikojnë, që të mund të rijetojmë ngjarjen e shpellës së Betlehemit. Besuan në lajmërimin e engjëllit e “shkuan me nxitim”, me entuziazëm e dëshirë të madhe për të takuar Fëmijën. Pasi e gjetën dhe e panë, lajmëruan duke u treguar “atë që u ishte thënë për Fëmijën”, të gjithëve, të cilët “u habiten”.

Ungjilli ngjall mahnitje, e mbi të gjitha një njeri vlerëson atë që ka mësuar nga barinjtë: “Maria i ruante të gjitha këto gjëra, duke i medituar në zemrën e saj”. Ajo në heshtje kërkon në thellësi kuptimin e këtyre ngjarjeve. Si Maria ashtu dhe Kisha kërkon të përvetësojë misterin e Fjalës së Mishëruar.

Sot Kisha kremton Marinë, si “Nëna e Hyjit”. Në fakt, amësia njerëzore është marrëdhënie me një person: ajo që është nënë, është nënë e një personi.  Tani fëmija i Marisë është Biri i Hyjit, Hyji vetë. Pra, Maria është “Nëna e Hyjit”. Jezusi është “Paqja jonë”. Nëna e Tij është “Mbretëresha e Paqes”. Sot kremtohet Dita Botërore e Paqes.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra, të thërrasim mbrojtjen e Marisë, Nëna e Hyjit dhe Mbretëresha e Paqes, që në vitin që sapo ka filluar të zbresë çdo plotësi hiri dhe bekimi.

L. Të përsërisim: O Zot, jepu paqe ditëve tona.

L. O Atë i Shenjtë, mbështete Kishën tënde në angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen në një botë të shkatërruar nga luftra dhe ndarje. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, udhëhiqi kryetarët e shteteve në angazhimin e tyre që të jenë ndërtuesit e paqes. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, nxit në të rinjtë dëshirën për të reflektuar në zemrën e tyre fjalën tënde të jetës. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, dërgoje Shpirtin tënd ngushëllues mbi ata që vuajnë në trup dhe në shpirt. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, bëj që të rritet në dashuri, në mirësi e në paqe kjo bashkësi e mbledhur rreth tryezës së Fjalës dhe tryezës së Bukës së jetës. Të lutemi

M. O Atë, fillimi dhe fundi i çdo gjëje, pranoji me mirësi lutjet që të drejtojmë, për ndërmjetësinë e Nënës së Birit tënd; jepi njerëzimit paqen, të cilën bota nuk mund t’ia japë e bëj që të shërbejmë me gëzim në të gjitha ditët e jetës sonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: