Ky është Biri im i dashur: dëgjojeni!

E diela e Pagëzimit të Zotit – Viti C

 

Leximi i parë   Is 42, 1-4.6-7

Isaia flet për një shërbëtor misterioz dhe të përvuajtur, i thirrur shërbëtori i Jahveut. Ky merr shpirtin e Hyjit dhe do t’u sjellë zbulimin të gjithë popujve, do të realizojë këtë misionin e tij me sukses, edhe pse do të duhet të eksperimentojë shumë vuajtje dhe vështirësi. Ai do të jetë një mjet shpëtimi mes njerëzve dhe Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve. Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri i tij s’do të dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues, dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën. S’do të lodhet as nuk do të ndalet derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij. Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt: që t’ua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.” Fjala e Zotit

 

 

 

Psalmi  29

 

Ref: Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

———————————–

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit,

jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

Jepni Zotit nderin e Emrit të tij,

adhurojeni Zotin në shkëlqimin e

shenjtë!

———————————–

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra,

Hyji i madhërishëm gjëmon,

Zoti bubullon mbi ujëra të mëdha!

Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm,

Zoti gjëmon me madhëri!

———————————–

Ndërkaq në Tempullin e tij të gjithë thonë: “Lavdi!”

Zoti e ka fronin përmbi përmbytje,

Zoti mbretëron përgjithmonë e jetë!

———————————–

 

Leximi i dytë   Vap 10, 34-38

Shpirti i Hyjit ka dërguar Pjetrin në shtëpinë e Centurionit Kornelio, një pagan. Pjetri pohon se Hyji nuk bën dallime dhe parapëlqime mes njerëzve, pra nuk bën dallime mes popujve dhe racave.  Mbi bazën e këtij besimi ai shpall se Jezusi ka ardhur të shpëtojë edhe paganët.  Jezusi është shërbëtori i Jahveut në të cilin banon Shpirti: ai ka vdekur dhe është ringjallur për të na çliruar nga djalli dhe për të falur mëkatet.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, shi përkundra – në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi fjalën e vet Izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të.” Fjala e Zotit.

 

 

 

Aleluja

Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.

Aleluja

 

 

Ungjilli    Mt 3, 13-17

Jezusi është Mesia që paraqitet në përvujtërinë e natyrës njerëzore për të kryer planin e shpëtimit të Hyjit.  Për këtë pranon të pagëzohet nga Gjon Pagëzuesi për të qenë afër çdo njeriu mëkatar. Me këtë zgjedhje Jezusi, shërbëtori dhe Mesia i Hyjit afron njerëzimin me Hyjin.

 

Lexim i Ungjillit të Shenjtë sipas Mateut

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” Por Jezusi i përgjigji: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” Atëherë e lejoi. Fill pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!” Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Pagëzimi i Jezusit tregon zgjedhjen e bërë prej tij të jetë njëri prej nesh, njëri me ne.

“Erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni”. Jezusi i kërkon Gjonit ta pagëzojë, jo sepse ka nevojë për një pagëzim të tillë pendese, por që të shfaqet misioni i tij dhe Trinia e Shenjtë. Me Mishërimin Biri i Hyjit jo vetëm bëhet njeri, por bëhet vëlla i mëkatarëve. Kryqi do të jetë veprimi i fundit i dashurisë së Birit të Hyjit, që zbret në përvojën njerëzore të ndarjes nga Hyji.

Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit” Komunikimi mes Hyjit dhe njerëzve, ndërprerë nga mëkati, fillon përsëri dhe dialogu bëhet i thellë, që Shpirti i Hyjit me dashurinë e tij të shpërndahet mbi tokë.

Simboli i pëllumbit na kujton: a) Shpirtin që vepronte në fillim të krijimit e që me Jezusin inaguron krijimin e ri; b) Shpirtin që, sipas profetë-ve, do të kishte “pushuar” mbi Mesinë, për ta bërë të aftë të kryejë misionin e tij; c) imazhin e nuses-Izraeli: Jezusi shfaqet si dhëndri që takon nusen, popullin e tij, duke realizuar besëlidhjen e re.

“Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”. Hyji Atë zbulon identitetin e Jezusit si Biri i dashur. E gjithë familja e Trinisë shfaqet në këtë ngjarje. Jezusi duke marrë forcën e Shpirtit e duke dëgjuar zërin e Atit, inaguron misionin e tij. Por Pagëzimi i tij bëhet në një farë mënyre simbol i pagëzimit të krishterë. Me Pagëzimin, në fakt, kemi hyrë në familjen e Hyjit vetëm nëpërmjet hirit, sepse Ai na ka zgjedhur dhe na do.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, Ati i ka zbuluar botës shenjtërinë dhe misionin e Birit. Nëpërmjet Kishës ai vazhdon të na thërrasë çdonjërin prej nesh dhe të na rinjohë në Jezusin, shpëtimtarin e vetëm të botës.

L. T’ia drejtojmë Atit lutjen tonë. Na shpëto, o Zot.

L. Për Kishën: që të sjellë gjithmonë në botë mesazhin e shpëtimit të Krishtit. Të lutemi.

L. Për katekumenët: që të jenë të mbë-shtetur në këtë ecje drejt sakramenteve të jetës së krishterë nga lutja e bashkësisë.Të lutemi.

L. Për të varfërit dhe të vuajturit: që të mund të rinjohin në ne shenjat e dashurisë dhe të provanisë së Hyjit. Të lutemi.

L. Për ne: që Pagëzimi i marrë, të shfaqet prej nesh në jetën e përditshme në nivel personal dhe shoqëror. Të lutemi.

M. O Atë, me anë të ujit të Pagëzimit dhe me lyerjen e Shpirtit bëj të tingëllojë zëri yt, i cili na fton për të ndjekur Jezu Krishtin Birin tënd, na shndërro në dëshmitarë të ndritshëm të lavdisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

 

 

 

Shpëndaje: