Gjon Pagëzuesi na dërgon te Jezusi Shpëtimtar!

E diela II gjatë vitit – Viti A

 

 

Leximi i parë   Is 49, 3.5-6

Zoti thërret popullin e Izraelit, shërbëtorin e tij. Izraeli është mjeti me të cilin Hyji do të zbulojë praninë e tij aktive në historinë e Izraelit. Në fillim misioni i këtij populli është i drejtuar në shpëtimin e vetvetes. Por në një kohë të dytë Izraeli do të bëhet drita e kombeve, do të sjellë shpëtimin e Hyjit në kufinjtë më të largët të tokës. Por drita e vërtetë për të gjithë njerëzit do të jetë Jezusi.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Hyji më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” E tash thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori i nënës sime shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. Ai më tha: “Tepër pak është të me jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!” Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  40

 

Ref: Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd

———————————–

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,

dhe ai u prir drejt meje, e vështroi britmën time.

Në gojë më vuri një këngë të re,

himnin e Zotit, Hyjit tonë.

———————————–

Fli e dhurata ti nuk do,

vetë ma zbulove vullnetin tënd:

fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon,

atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë’.

———————————–

Në Librin e Ligjit shkruan për mua:

“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,

Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.

———————————–

Drejtësinë tënde e shpalla

në kuvendin e dheut,

shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët,

o Zot, ti e di.

———————————–

 

Leximi i dytë    1 Kor 1, 1-3

Shën Pali përshëndet të krishterët e Korintit si ai që është dërguar nga Krishti. Ai sheh në atë bashkësi të Korintit Kishën e Hyjit dhe rinjeh në anëtarët e saj personat e thirrur në shenjtërim dhe të bashkuar në besimin e atyre që thërrasin emrin e Jezusit në botë.

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Pali, për vullnet të Hyjit i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni, Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe Zotit tonë. Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

E Fjala u bë njeri, e banoi ndër ne. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Gjn 1, 29-34

Në aramaisht fjala shërbëtor do të thotë edhe qengj. Në Ungjill Jezusi është quajtur “Qengji i Hyjit” nga Gjon Pagëzuesi. Në Besëlidhjen e Vjetër qengji i Pashkëve është simbol i shpëtimit të Izraelit. Jezusi si Shpëtimtar duhet të kalojë përmes Pashkëve të tij të vdekjes dhe të ngjalljes për t’u pagëzuar në Shpirt. Për të qenë besnikë ndaj Ungjillit nuk mjafton vetëm të zhytemi në ujin pagëzimor, por duhet të lejojmë të mbushemi nga zjarri i Shpirtit. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Gjoni e pa Jezusin duke ardhur kah ai e tha: “Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai për të cilin thashë: ‘Mbas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’ Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam kah pagëzoj me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.” Gjoni dëshmoi edhe: “E pashë Shpirtin Shenjt kah zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”  Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Një besim i vërtetë jo vetëm kujdeset për realitetin hyjnor por edhe për atë të njeriut konkret: për këtë Hyji ynë bëhet njeri e lejon të preket nga vuajtja dhe mjerimi ynë.

“Gjoni duke parë Jezusin që po vinte drejt tij thotë: Ja qengji i Hyjit”. Pagëzuesi, i ndriçuar nga Hyji, zbulon identitetin e Jezusit dhe misionin e tij, dhe e shpall. Duke e quajtur Jezusin, “qengji”, na kujton “qengjin pashkvor”, çlirimin e Izraelit nga skllavëria, shpëtimin mesianik. “Qengji i Hyjit” domethënë që i përket Hyjit, jo një qengj që njerëzimi i ofron Atij, por që vetë Hyji i dhuron njerëzimit, për ta pajtuar me veten. Është “Ai që pagëzon në Shpirtin Shenjt”, domethënë dhuron Shpirtin, shpërndan bollëkun e Shpirtit Shenjt. Pikërisht “zhyt” besimtarët në Shpirtin Shenjt, domethënë në plotësinë e pafund të jetës, të gëzimit dhe dashurisë së Hyjit.

“Pashë Shpirtin të zbresë e të qëndrojë mbi Të”. Gjoni, nga përvoja e jetuar prej tij, pohon se Jezusi zotëron në plotësi Shpirtin e mund edhe ta komunikojë. Por kush mund të japë Shpirtin Shenjt përveç Hyjit? Gjoni kishte thënë për Jezusin, “është Biri i Hyjit”, e kishte pohuar paraekzistencën e tij hyjnore: “ishte para meje”. Ai rrëfen një besim tërësor e të pakushtëzuar në Jezusin, Qengjin e Hyjit.

Në jetën tonë të krishterë nuk mbarojmë kurrë së zbuluari misterin e Krishtit dhe dashurinë e tij të pashtershme. Përballë personit të tij duhet të vendosim për po-në ose jo-në. Nuk mund të qëndrojmë neutralë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në Krishtin Jezus jemi bërë të gjithë bij të Hyjit. Por besimi ynë në Të, ndonjëherë, është shumë i dobët. T’i lutemi Zotit që të dimë të jetojmë dhe të dëshmojmë me guxim besimin tonë.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Hyj i mëshirshëm, na dëgjo!

L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët, që nën shembullin e dishepujve të parë të Jezusit, të dinë të jenë dritë për njerëzit dhe pikë referimi në një ecje besimi dhe lutjeje për të krishterët. Të lutemi.

L. Për ata që kanë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore, që të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe të jenë gjithmonë të vëmendshëm për të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Për të sëmurët, të vuajturit dhe ata që gjenden në vështirësi, që të mund të takojnë burra dhe gra të mbështetur nga një bamirësi e vërtetë e krishterë. Të lutemi.

L. Për ne që quhemi të krishterë, që të dimë të jemi dëshmitarë të vërtetë të dashurisë së Hyjit me sjelljen tonë, gjithmonë të gatshëm në nevojat e vëllezërve. Të lutemi.

L. O Hyj Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, dëgjoji lutjet tona për bashkimin e të krishterëve dhe na jep Shpirtin e bashkimit dhe të paqes, që të gjithë të jenë të njëzëshëm në rrëfimin e besimit dhe të bashkuar në lavdërimin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: