Ku është thesari i juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj!

E diela XIX gjatë vitit – viti C

 

Leximi i parë   Urt 18, 3.6-9

Tregimtari jeton i lirë në Egjipt aty ku etërit e tij janë persekutuar. Ai kremton natën e pashkëve ulur në tavolinë në shtëpinë e tij.  Nuk kërkon që egjiptianët të jenë të shkatërruar, por falënderon Hyjin që është anëtar i popullit të besëlidhjes dhe që kremton gëzimin e çlirimit të popullit. Edhe sot të krishterët banojnë në vendin në të cilin jetojnë për të dëshmuar që Hyji i ka thirrur dhe i ka bashkuar duke u ofruar bukë dhe liri.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

Në natën e lirimit, Izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur pranë teje. Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   33

 

Ref: Lum populli që i përket Zotit

————————————-

Galdoni, o të drejtë me Zotin,

të drejtëve u ka hija lavdërimi!

Lavdërojeni Zotin me kitarë,

bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

————————————-

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

————————————-

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

————————————-

 

Leximi i dytë   Heb 11, 1-2.8-19

Abrahami i frymëzuar prej Hyjit niset pa e ditur se ku do të arrijë. Të gjithë pasardhësit e tij do të njihen prej tij: ata besojnë me të vërtetë që Hyji nuk i bën të ecin kot. Ata e dinë pse nisen dhe nuk marrin  parasysh rreziqet, sepse në fund të udhëtimit do të gjejnë një shtëpi, një vend paqeje dhe dashurie ku të shkarkojnë peshën e jetës së tyre. 

 

Lexim prej drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen. Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.  Me anë të fesë, Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.  Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i kishte kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu, dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.  Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun. Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.  Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën kur do të vijë Zoti.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 12, 32-48

Jezusi u drejtonte ndoshta këto shëmbëll-tyra skribëve të asaj kohe, të cilët kishin zënë rrënjë në siguritë e tyre ekonomike, dhe i ftonte të mos flinin në momentet e krizës fetare, që shpallin fundin e botës. Jezusi, për të na mësuar që t’i qëndrojmë me të vërtetë besnikë Zotit që vjen, shpall dështimin e një lloj teologjie, të  paaftë për të lexuar shenjat e kohrave dhe për të realizuar ndryshime rrënjësore në traditën fetare.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetërohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren. Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura – porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!  E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtë-pisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia. Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?  Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.  Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’, dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.  Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Zemra e çdo njeriu ruan një thesar, qoftë i vërtetë apo i rremë: ai i vërteti nuk plaket kurrë e nuk mund të vidhet; ai i rremi rrezikohet nga ndryshku dhe nga hajdutët.

“Sepse ku është thesari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj”. Thesari yt është gjëja për të cilën mendon më shumë gjatë ditës: paratë, seksi, frika, gjykimi i të tjerëve, suksesi. Shndërrohemi në atë që me shumkë banon në mendjen dhe zemrën tonë.

“Jini gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura”. Mësuesi na fton të rrimë zgjuar, të vetëdijshëm dhe të gatshëm të mos na marrë gjumi, sepse gjumi i arsyes e i shpirtit sjell vdekjen.

Nëse “zotëria kur kthehet do t’i gjejë akoma zgjuar… do t’u shërbejë”. Zotëria i jetës vihet në shërbim të atij që ka jetuar në dashuri e në shërbim e i dhuron lumturinë, plotësinë e shpirtit e shijen e të qenurit bij të Hyjit.

“Rrini zgjuar sepse, në atë çast që nuk e merrni me mend, vjen Biri i njeriut”. Hyji është si një hajdut, vjen kur nuk e pret sipas logjikave të tua njerëzore, sepse Hyji është jashtë kontrollit tënd, ka plane sekre-te, hyjnore.

Pjetri tha: O Zot, këtë shëm-bëlltyrë e thua për ne apo për të gjithë?”. Fjalët e Jezusit janë për të gjithë. Të gjithë ne jemi administratorë, sepse koha nuk është e jona, na është dhuruar pak për ta menaxhuar. Vetë jeta ime nuk është e imja: më është dhënë në administrim e një ditë duhet ta dorëzoj. Atë që ke (dhunti, para, njohje, cilësi) dhuroje sepse një ditë do të gjykohesh mbi atë që të është besuar.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Hyji Ati ynë, që prej kohëve të vjetra ka bërë një marrëveshje me njerëzimin. Ashtu siç ka dëgjuar thirrjen e Abrahamit, atit tonë, kështu dëgjon ata që i drejtohen atij me besim të sinqertë. Të lutemi së bashku duke thënë:

O Zot, dëgjoje lutjen tonë.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët: që të jenë dëshmitarë të fesë në kohën tonë dhe të vazhdojnë të udhëheqin me dituri grigjën që Hyji u ka besuar atyre. Të lutemi

L. Për të gjithë ata që, në këto ditë festash, punojnë për shëndetin dhe sigurinë tonë: që Zoti t’u japë atyre forcë dhe dituri. Të lutemi

L. Për vullnetarët që në këto ditë ndihmojnë të sëmurët dhe të moshuarit: që në Eukaristi të gjejnë atë Jezus që kanë ndihmuar dhe ngushëlluar. Të lutemi

L. Për këtë bashkësi: që bashkimi vëllazëror që ushqen kremtimin e së dielës t’i japë hov shpresës sonë në pritje të kthimit të Krishtit Zot dhe gjykatës i historisë. Të lutemi

M. O Atë, që në Krishtin na ke mësuar të të drejtohemi Ty me besim, dëgjoje lutjen tonë, që të dimë të jemi vigjilent në pritje të kthimit të Birit tënd. Ai është Hyji dhe jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: