Jeta e njeriut nuk varet nga pasuria që ka!

E diela XVIII gjatë viti – viti C

 

Leximi i parë   Kish 1, 2; 2, 21-23

Pesimizmi grek hyn në optimizmin hebraik që ishte mbështetur nga shpresa e Mesisë. Dijetari hebraik nuk ka frikë të thithë këtë ajër të ri. Përballë vdekjes të gjitha planet e njeriut zhduken. Edhe i krishteri mund të thithë mentalitetin e botës; por a do të jetë i aftë të përfshijë shpirtin e Ungjillit në mentalitetin e kohës së tij?

 

Lexim prej Librit të Kishtarit

Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi! E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi e keqe e madhe! Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim, dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi! Fjala e Zotit.

 

Psalmi   95

 

Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

——————————

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

—————————–

Ejani ta adhurojmë,

të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

—————————–

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur

porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

——————————

 

Leximi i dytë   Kol 3, 1-5.9-11

Çfarë ndryshon kur një person bëhet i krishterë? Në sytë tanë ndryshon krejt pak pamja e jashtme. E reja e vërtetë, fara e ripërtëritjes nuk është e dukshme si fara e tokës. Imazhi i Hyjit, i gdhendur në ne është i fshehur në zemrat tona. Megjithatë ky imazh duhet të shfaqet pak nga pak në jetën e përditshme. Ja përse duhet të fshijmë nga jeta jonë papastërtinë, kopracinë, gënjeshtrën.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.  Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastria, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë, ajo idhujtari. Mos rreni njëri-tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tija dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përngjasim të Krijuesit të vet. Aty nuk ka më: grek – hebre, rrethprerje – parrethprerje, barbar – skit, skllav – të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Është afër Mbretëria qiellore: kthehuni e besoni Ungjillit.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 12, 13-21

Gabon ai që do të manipulojë Ungjillin për të mbrojtur pozicionin dhe interesat e tij: Jezusi nuk lejon të manipulohet nga askush. Është normale që të ketë konflikte mes njerëzve, por është e papranueshme të përdorësh Krishtin për t’i dhënë një vlerë absolute asaj që është vetëm një opinion. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Atëherë dikush prej turmës i tha: “Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.” “Or mik – i përgjigji Jezusi – kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?” Atëherë u tha: “Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.” Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’ Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. Atëherë do t’i them shpirtit tim: Shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’ Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’ Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ne jetojmë në një shoqëri konsumiste, e pasuria vendos në zemrat e njerëzve sigurinë e rreme të besimit se jemi zotërues të gjithçkaje, të jetës sonë e atë të të tjerëve.

Njëri nga turma i thotë Jezusit: “Mësues, thuaj vëllait tim që të ndajë me mua trashëgiminë”. Por ai i përgjigjet: “O mik, kush më bëri gjykatës ose ndërmjetës mes jush?” Jezusi nuk do të tregojë se nuk i interesojnë marrëdhëniet e drejtësisë mes dy vëllezërve, por do të verifikojë motivin për të cilin ky burrë iu drejtua atij, e në analizën e fundit kush është Jezusi për të.

Kush ndjek Jezusin e di se Ai është i themeluar nga Ati gjykatës e ndërmjetës mbi njerëzit, në kuptimin që ai zbulon kuptimin e thellë të ekzistencës njerëzore, e nuk është gjykatës në rrafshin e ligjeve që rregullojnë sjelljet njerëzore. “Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pa-surisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka”. E “pasurohuni në Hyjit!”. Jezusi nuk i konsideron të liga të mirat materiale dhe pasuritë, por dënon të kërkuarit e kuptimit të jetës në zotërimin e të mirave materiale. Ai pranon se të mirat materiale janë të nevojshme për një ekzistencë të drejtë, por na kujton se të mirat dhe pasuria bëjnë që njerëzit të ndihen larg nga Hyji dhe i afërmi. Na fton të jetojmë me të përvojën e Birit që merr gjithçka nga Ati, të ndryshojmë zemrën, të shikojmë të tjerët si vëllezër, të bashkëndajmë me ta për të ndërtuar një botë vëllazërore, çlirimi dhe dashurie.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Hyji na e drejton edhe neve, të ngjallur në Krishtin, ftesën për të kërkuar gjërat e qiellit e jo ato të tokës. Por nuk është e lehtë të shkëputesh në mënyrën e drejtë nga të mirat tokësore. Për këtë thërrasim dhuratën e diturisë. Të lutemi së bashku duke thënë:

Na jep, o Zot, diturinë e zemrës.

L. Që Kisha të dijë të jetë gjithmonë e varfër dhe e lirë ashtu si Krishti e ka mësuar. Të lutemi.

L. Që kombet të dinë të dalin nga logjika absolute e përfitimit dhe të bëjnë të rritet drejtësia dhe bashkëndarja e të mirave tokësore. Të lutemi.

L. Që të varfërit të gjejnë në bashkësinë tonë veprime solidariteti dhe mirësie të vërtetë. Të lutemi.

L. Për ata që janë me pushime duke kërkuar një pushim të drejtë të drejtojnë vëmendjen drejt Krishtit dhe mësimit të tij.Të lutemi.

L. Për ne që marrim pjesë në jetën e bashkësisë dhe dëshirojmë që të banojë në ne dashuria e Hyjit: të mos i mbyllim zemrat kur shohim vëllain tonë në nevojë. Të lutemi.

M. O Atë, që na ke mësuar të drejtohemi ty në çdo nevojë, dëgjoje lutjen tonë, që bashkimi me Krishtin të na bëjë të aftë të largojmë atë pjesë tonën që është e tërhequr nga gjërat tokësore, për të ecur drejt teje në liri të shpirtit. Për Krishtin, Zotin tonë. Amem.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: