E diela XVII gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Zan 18, 20-21.23-32
Ky tregim synon t’i përgjigjet pyetjes: janë të këqijtë që i tërheqin të mirët në shkatërrim apo do të jenë të mirët që do të shpëtojnë të këqijtë? Përgjigjja është se do të ishin të mjaftueshëm disa të drejtë apo një njeri besimtar si Abrahami për t’i shpëtuar të gjithë. Isaia do të shpallë që vetëm një “shërbëtor” do të mund të çlirojë të gjithë kombin. Në fakt, Jezusi shërbëtori i Javehut do të shpëtojë, me flijimin e vetvetes, njerëzimin mbarë.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Zoti tha: “Po flitet keq për Sodomën e Gomorrën dhe mëkati i tyre është tepër i rëndë. Unë duhet të zbres e të shoh a po veprojnë njëmend ashtu si po arrin ankimi deri tek unë. Do ta di apo jo!” Abrahami iu afrua Zotit dhe i tha: “Vërtetë se bashkë me fajtorin do ta zhbish edhe të drejtin? Nëse në qytet do të jenë rastësisht pesëdhjetë të drejtë, vërtetë do ta zhbish atë vend dhe nuk do ta falësh për shkak të atyre pesëdhjetë të drejtëve që do të jenë në të? Larg qoftë prej teje që ta zhbish të drejtin bashkë me të mbrapshtin? A do t’i bësh barazi të drejtin me fajtorin? Larg teje! A thua se gjykatësi i mbarë botës nuk do ta shtjerë në veprim drejtësinë?” Zoti përgjigji: “Nëse do t’i gjej në Sodomë pesëdhjetë të drejtë, brenda në qytet, për ta do ta fal tërë qytetin.” Abrahami e mori përsëri fjalën: “Ja, unë po marrë guxim të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur: po e zëmë se ndër ata pesëdhjetë të drejtë, do të jenë pesë më pak. A thua se për shkak të atyre të pesëve do ta zhbish tërë qytetin?” Ai tha: “Nuk do ta zhbij nëse i gjej dyzet e pesë të drejtë.” Abrahami s’u durua e i tha: “Po qe se atje do të jenë vetëm dyzet?” Hyji përgjigji: “Nuk do ta ndëshkoj për shkak të atyre dyzet të drejtëve.” Përsëri tha: “Nuk më hidhërohet Zoti im nëse flas: e po qe se, atje janë vetëm tridhjetë.” Ai tha: “Nuk do ta zhbij as nëse i gjej tridhjetë.” “Ja, prapë, po marr guxim – tha – të flas me Zotin tim: po nëse, ndoshta, atje do të jenë vetëm njëzet!” Hyji i tha: “Nuk do ta zhbij për shkak të atyre të njëzetëve .” “Po të lutem – vazhdoi – Imzot nuk do të më hidhërohet, nëse flas vetëm edhe një herë: po qe se atje janë, ndoshta, vetëm dhjetë!” – “Unë nuk do ta zhbij për shkak të atyre të dhjetëve.” Fjala e Zotit.
Psalmi 138
Ref: Skamnori thërret, e Zoti e dëgjon
————————————–
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
————————————–
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë,
ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
————————————–
Do të të lavdërojnë, o Zot,
të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit;
sepse i lartë është Zoti e i shikon të përvujtët,
e prej së largu i dallon krenarët.
————————————–
Kur të më duhet të eci
në mes të vështirësive, ti ma ruaj jetën,
shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi,
e më shpëto me të djathtën tënde.
————————————–
Leximi i dytë Kol 2, 12-14
Të jesh i pagëzuar do të thotë të ndjekësh Krishtin që iu dorëzua vdekjes, duke besuar në një Hyj që është i aftë të përmbysë vdekjen në ngjallje. Nuk bëhet fjalë të ruhemi nga rreziqet e jetës, por të mbështesim ekzistencën tonë mbi besimin në Krishtin Jezus, duke iu besuar dashurisë dhe faljes së Hyjit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, të varrosur bashkë me Krishtin në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit. Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona, Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq. Fjala e Zotit.
Aleluja
Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni. Ati juaj e di se për çka keni nevojë.
Aleluja
Ungjilli Lk 11, 1-13
Jezusi na mëson të lutemi. Ai kur lutet nuk i kërkon Atit të tij të realizojë plane materiale, por kërkon vetëm bashkimin me Të dhe zbatimin e vullnetit të Tij. Nga mësimi i Jezusit kuptojmë se Hyji nuk është një kryetar shteti i fuqishëm, që u ndan nënshtetasve të tij, sipas tekave të tij, hiret që i kërkojnë. Ne mund të ofrojmë vetëm zemrën tonë dhe të presim nga miqësia e tij që Ai t’u përgjigjet nevojave tona me dhuratën e Shpirtit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.” “Kur të luteni – u tha Jezusi – thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!” Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë’, e ai prej brenda iu përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera. Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë?”. Fjala e Zotit.
POROSIA
Lutja e vërtetë ushqehet me respektin e thellë për Hyjin, me besimin plot guxim ndaj zemrës së mëshirshme të Hyjit e me solidaritetin vëllazëror ndaj njerëzve mëkatarë.
Apostujt pyesin: “O Zot, na mëso të lutemi”. E Jezusi përgjigjet: “Kur luteni, thoni: Atë”, domethënë Abbà-Ati im. Kush thotë “Atë” është një person që ndihet në krahët e Hyjit së bashku me Jezusin, është një person i lumtur, entuziast, si Jezusi.
“U shenjtëroftë emri yt”. Ne kërkojmë: Ti, Atë, shenjtëroje emrin tënd, na zbulo Shenjtërimin dhe dashurinë tënde. E kështu të gjithë njerëzit do të njohin si Hyj, si Atë e do të lëvdojnë.
“Ardhtë mbretëria jote”. “Mbretëria e Hyjit” është Hyji vetë, Zoti i vetëm e Mbreti i gjithëpushtetshëm, që nëpërmjet Jezusit afrohet e dhurohet, duke e çliruar njeriun nga gjithçka që e shtyp.
“Bukën tonë të përditshme na jep sot”, domethënë ushqimin për të cilin kemi nevojë për të jetuar, faljen, solidaritetin, fjalën e Hyjit, Eukaristinë.
“E na i fal ne mëkatet tona”. Dishepujt mund të humbasin nëpërmjet mëkatit miqësinë e bashkimin me Atin. Për këtë thërrasin mëshirën e tij e faljen e tij. Kush kërkon faljen duhet të jetë i gatshëm ta dhurojë: “sepse edhe ne i falim fajtorët tanë”.
“E mos na lër të biem në tundim”. Kjo domethënë: bëj që të mos ta pranojmë tundimin për të të tradhtuar e për të humbur besimin në ty. Në masën në të cilën kuptoj dhe jetoj “Atin tonë”, do të kuptoj e do të jetoj ungjillin e Jezusit.
Lutja e Besimtarëve
M. T’ia drejtojmë lutjen tonë Hyjit, i cili është zbuluar nga Biri si Atë i mirë që kujdeset për krijesat e tij. Të themi së bashku:
Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.
L. Atë i mirë, mbështete Kishën që çdo ditë të lutet në liturgjinë eukaristike dhe në liturgjinë gjatë ditës: bëj që t’i jetë besnike asaj që ajo kremton. Të lutemi
L. Atë i mirë, ngjall në ata, që nuk besojnë dhe nuk luten më, dëshirën për të të takuar përsëri. Të lutemi
L. Atë i mirë, mbështeti misionarët dhe ungjillëzuesit, që Fjala jote të shpërndahet mbi mbarë tokën. Të lutemi
L. Atë i mirë, jepu hirin tënd të gjitha nismave të lutjes që lindin në bashkësinë tonë, mes të rinjve, të rriturve, pleqve, që populli yt të bëhet gjithnjë e më shumë një bashkësi e shenjtë. Të lutemi
M. O Zot, të falënderojmë për dhuratën e madhe të lutjes. Na ndihmo të gjejmë në të forcën për të zbatuar ligjin tënd, të pranojmë vullnetin tënd dhe të jetojmë urdhërimet e mirësisë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)