E diela XVI gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Zan 18, 1-10
Kjo pjesë paraqet temën e mikpritjes. Tregon bujarinë, mikpritjen që Abrahami u bën tre miqve të mistershëm. Një mirësi e tillë i lejon atij të kuptojë misterin që ata mbartin. Njëri i zbulohet si Hyji dhe dy të tjerët si engjëjt e tij. Ky tregim është një mësim mbi kuptimin e thellë të mikpritjes. Jezusi do të na thotë se kush mikëpret më të voglin e vëllezërve të mi mikëpret vetë Hyjin.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’u sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të trungut. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni veten para se të vazhdoni udhën. Ju po i bini kah dera shërbëtorit tuaj!” Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!” Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej tri masë të miellit më të mirë dhe na i bëj do kuleç.” Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shpejtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata ngrenin, rrinte pranë tyre në këmbë rrëzë trungut. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjigji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë djalë.” Fjala e Zotit.
Psalmi 15
Ref: Ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit
———————————
O Zot, e kush do të guxojë
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
———————————
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bëkeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
———————————
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë
nuk do të luhatet.
———————————
Leximi i dytë Kol 1, 24-28
Pali, i vjetër dhe i burgosur, akoma në zemrën e tij shfaq vrullin e apostullit që përshkon botën. Detyra e tij është gjithmonë urgjente: t’u shpallë njerëzve fjalën e Hyjit që ta jetojnë, të udhëheqë njerëzimin në takim me Krishtin, me shpresën për një jetë të lirë dhe të re. Të jesh apostull do të thotë të rilindësh gjithmonë Kishën ashtu siç bën Krishti, pra në dashuri që nuk njeh pengesa.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij, Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të vet. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë, domethënë: Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush t’ia arrijë përsosmërisë në Krishtin. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e Vërtetë: na shenjtëro në të Vërtetën.
Aleluja.
Ungjilli Lk 10, 38-42
Dy motrat, Marta dhe Maria kanë një shqetësim të përbashkët: të mikëpresin mikun dhe të bashkëndajnë detyrat e tyre. Marta kujdeset për kuzhinën, Maria ulet dhe dëgjon Mësuesin. Janë dy detyra që shprehin të njëjtën mikpritje. Por Marta e tepron dhe i kërkon ndihmë së motrës. Në këtë moment mikpritja nuk është më e qetë dhe Jezusi i thotë se e nevojshme është vetëm një gjë: thelbësore është dëgjesa e Fjalës së Jezusit
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe në grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!” Iu përgjigj Zotëria: “Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”
POROSIA
Mikpritja nuk është një gjest thjesht formal, por një gjest për “t’u bërë hapësirë dashurie” për të tjerët.
Hyji në Jezusin fiton mikpritje. “Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, e quajtur Marta, e priti në shtëpi”. Jezusi ishte lidhur me një miqësi të fortë me familjen e Betanisë. Këtu ai ndihet si në shtëpinë e vet. Marta, për “të mikpritur” Mikun, ishte “e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes” e i ankohet Jezusit sepse motra nuk bashkëpunonte. Marta donte t’i ofronte Jezusit një mikëpritje të mirë, por nuk kuptonte çfarë dëshironte më shumë Ai.
Maria, “e ulur te këmbët e Jezusit, dëgjonte Fjalën e tij”. Jezusi pranon se edhe gratë janë të thirrura të bëhen dishepujt e tij, e qorton Martën: “ti po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirë.” Maria realizon figurën e dishepullit, që vë në vend të parë Jezusin, duke e pranuar në jetë. Fjala e tij ka përparësinë mbi të gjitha shqetësimet njerëzore e mbi shërbimin e Martës, që Jezusi nuk e refuzon.
Kisha pa dëgjesën e vëmendshme e të vazhdueshme të Fjalës, humbet “pjesën më të mirë”, që është përkatësia në Zotin dhe bashkimi me të. “Diakonia” e Kishës, domethënë promovimi i njeriut dhe shërbimi i tij i bamirësisë ndaj të fundit, humbet vlerën e bëhet i pafrytshëm e pa kuptim. Ja identiteti i të krishterit: të jetë Marta me zemrën e Maries, ose të jetë Maria me duart e Martës.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, Zoti ka premtuar të jetë i pranishëm në mes nesh çdo herë që bashkohemi në emrin e tij. Të pranojmë fjalën e tij në jetën tonë dhe t’i ofrojmë lutjen tonë. Të lutemi së bashku e të themi:
O Zot, na jep forcën e dashurisë sate.
L. Për Kishën: që të jetë në botë një shenjë e vërtetë e vëllazërisë nëpërmjet bujarisë dhe mikpritjes. Të lutemi
L. Për qeveritarët e kombeve: që të jenë të gatshëm për të ndihmuar refugjatët, të arratisurit, ata pa shtëpi, duke rritur të mirën shoqërore për të gjithë. Të lutemi
L. Për Kishat e reja: që t’u japin rëndësi besimtarëve laikë në shërbimin e katekizmit dhe në shpalljen e parë të fesë. Të lutemi
L. Për rregulltarët: që me jetën e tyre të mbushur me besim dhe gëzim, të dëshmojnë me forcë Krishtin Zot. Të lutemi
L. Për ne, pjestarët e kësaj bashkësie: që të dimë të pranojmë Krishtin në personat e vëllezërve të varfër dhe të vuajtur, duke marrë forcë nga Liturgjia. Të lutemi
M. O Hyj Atë, shkëlqeftë drita e fytyrës sate mbi çdo familje dhe bashkësi, që të jetojë me gëzim fjalën tënde dhe të kryejë të mirën që ti i frymëzon. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)