Shën Françesku i Asizit – shenjti që frymëzoi shenjtër në popullin tonë

Nga Don Frrok Zefi

 

Shenjtëria nuk është në atë, që të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por, përkundrazi, në atë që me buzëqeshje të pranojmë atë çka Jezusi na dërgon. Ajo përbëhet në atë që të pranojmë dhe ndjekim vullnesën e Zotit. Thotë Nëna Terezë dhe vazhdon: Shenjtëria nuk është luks i pakicës. Kjo është detyra e të gjithëve, e imja dhe e jotja. Që të jeni të shenjtë, duhet seriozisht të dëshironi atë që të jeni në harmoni me Zotin dhe me të afërmin. Kurse Shën Toma Akuini, thotë se shenjtëria “nuk është asgjë tjetër, por vendimi serioz, akti heroik i shpirtit, i cili i dorëzohet Zotit.” Vendimi që të bëhemi të shenjtë, është diçka intime.

Dorëheqja, tundimet, lufta, persekutimet dhe sakrificat e çfarëdo lloji, rrëmbejnë shpirtin, i cili ka vendosur të bëhet i shenjtë.

Nëse punën tonë e bëjmë për Zotin dhe Atij për nderë, siç themi ne “për hater të Zotit” mund të bëhemi dhe jemi të shenjtë.

Fakti i vdekjes nuk duhet të na trishtojë. Mund të na trishtojë vetëm kjo, pse e dimë se nuk jemi të shenjtë. Virtyti, i cili nganjëherë bëhet heroik, është në atë pse prej dashurisë ndaj Jezusit jemi të aftë të mundim arrogancën. Ky është misteri që zbulojmë në jetën e disa shenjtërve.

Kjo është ajo çka i ka ndodhur Shën Françeskut të Asizit. Kur një herë ka parë të gërbulurin krejtësisht i deformuar,  është tërhequr, është largua. Në të njëjtin moment ka mundur neverinë e vet dhe ka puthur fytyrën e të gërbulurit. Dhe, cili ishte rezultati? Shën Françesku është ndjerë i denjë, i  gëzueshëm pakufi. Është ndjerë zotëria i plotë mbi vetveten. Kurse i gërbuluri ka vazhduar rrugën e vet duke lëvduar Zotin.

Shenjtërit janë njerëzit, të cilët jetojnë sipas ligjit të Zotit. Besnikëria bën shenjtër. Ajo çfarë kemi në zemër, kjo është ajo çka përcakton jetën tonë. Nuk e kemi të lejuar të jetojmë jetën e dyfishtë. Nuk mund të themi në të njëjtën kohë: dua dhe nuk dua. Dua të jem i shenjtë dhe nuk dua të jem i shenjtë.

“Dëshiroj të jem i shenjtë” domethënë:

ta liroj veten prej gjithçka çka nuk është Zot.

Të jemi shermendi i vërtetës dhe fryti në hardhi, që është Krishti dhe ta pranojmë në jetën tonë, si ai na jepet.

Si na jepet Ai?

Si e vërtetë,  të cilën duhet ta rrëfejmë.

Si jetë, e cila jetohet.

Si dritë, e cila shndritë.

Si dashuri, të cilën duhet ta duam.

Si rrugë,  në të cilën duhet shkuar.

Si gëzim, i cili do të shpallet.

Si paqe, të cilën duhet mbjellë.

Si sakrificë, të cilën duhet ta paraqesim në familjet tona,

Shën Françesku, të cilin sot e festojmë i ka pas të gjitha virtytet për të cilat flet Nënë Tereza. Shën Françesku u lindi në Itali rreth vitit 1181. Pasi luftoi në një betejë midis Asizit dhe Perugia, Françeskun  e burgosën.  Një vit e kaloji në burg. Sipas legjendës, në burg merrte vizione nga Zoti.  E la jetën luksoze dhe u bë besimtar i besimit.

Gjatë jetës, Shën Françesku  i mori stigmat – shenja, plagët – varret e Jezu Krishtit. U tërhiq në vetmi, ne mendime dhe meditime, vizitonte kishat e  Asizit, duke u lutur, duke kërkuar përgjigjeje dhe duke ndihmuar të gërbulurve.

Ashtu ne meditime dhe lutje para kryqit  në kishën e Shën Damianit, Françesku dëgjoi zërin e Krishtit, i cili i tha:  “Françesk rinovojë Kishën time”.  Menjëherë filloji  ta rinovoj  kishën, ndërtesën, shpijnë e kishës.  Por Jezusi Krishti prapë u lajmru dhe i tha: “Françesk, jo atë kishë, por Kishën e gjallë“  Filloi të predikojë, fillojë ta përhapë fjalën e Zotit. Filloji ta predikojë Ungjillin e Jezu Krishtit. Predikoj rreth Asizit dhe së shpejti iu bashkuan shumë – vëllezër rregulltarë.

Françesku nisi një mision për të rivendosur vlerat origjinale të Jezu Krishtit në Kishë. Me karizmën – me dhuratën e Shpirtit Shenjt dhe me  predikimet, tërhoqi mijëra rregulltarë në rregullin e tij cilin vet e themeloi.  Rregulltarët françeskan edhe sot jetojnë dhe veprojnë simbas rregullave të këtij shenjti.  Françeskanet janë nëpër gjithë botën. Vlen t’i përmendi se janë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Vojvodinë, Mal te Zi. Janë edhe në Kosovë. Në Kosovë françeskanët jetojnë dhe veprojnë në qytetin Gjakovës.

Me lejoni t’i përkujtoj dy persona të rëndësishëm për popullin Shqiptarë, për Kishën, për famullinë e Letnicës dhe Vernakollës.

 

I PARI – AT  ANTON MEROJEVIC – I frymëzuar nga Shën Françesku, famullitar i Letnicës, prej vitit 1838deri në vitin 1856.

Frati Anton Marojeviqi, lindi më 28 dhjetor 1803 në qytetin Hvar të Kroacisë. Shkojë në Shqipëri në vitin 1829 dhe hyri në Urdhrin Françeskan të provincës së Shqipërisë dhe pasi mbaroi noviciatin dhe mbaroj fakultetin teologjik i dha kushtet e përjetshme më 29 prill të viti 1830. Atë vite e shuguroi meshtarë argjipeshkvi i Durrësit mons. Borzi. Shërbeu në kuvendin  e Lezhës katër vite.  Dhe në vitin 1844, pasi turqit vranë disa besimtarë në dioqezën e Lezhës dhe plaçkitën kuvendin, frati Anton Marojević u shmang në Prizren te argjipeshkvi Pjetër Shala. Nga viti 1838 ishte famullitar në Letnicë, deri në vitin 1856, ku edhe vdiq më 5 janar të ati viti. Aty, në Letnicë u varros dhe sot e ka varrin në oborrin e kishës.

Të inspiruar nga famullitari i tyre, misionarin e zellshëm At Anton Marojeviqit, françeskan, Katoliket Shqiptare, kriptokatolikët  nga Binça, Stublla, Vernakolla dhe Letnica rreth viteve 1845-1848, u shfaqen publikisht katolik.  U deklaruan se janë dhe duan të mbesin katolikë.  Në vitin 1845 u deklaruan se janë dhe duan të mbesin katolik. Por në një kohë të keqe, sepse mbi ta zbret gjithë inati i pushtetarëve vendas, sidomos i Maliq Beut nga Gjilani dhe Hafiz Pashës nga Prishtina, që manifestohet me veprime të tmerrshme barbare dhe sjell pasoja të rënda.

Në fillim të vitit 1846, rreth 25 familje nga Binça, Stublla, Vernakolla dhe Letnica  u çuan në burg, fillimisht në Gjilan, e më pas në Prishtinë e Shkup, u torturuan me tortura të ndryshme dhe në fillim të 1846 u internuan në skllavëri në Anadoll, fillimisht në Muhaliq, pastaj në fshatrat Bursa dhe Filedare.

Në të njëjtin vit arrestohet edhe At Anton Marojeviqi, frati françeskan, të cilin e lidhën me zinxhir dhe e lidhën nën barkun e kalit dhe e çuan në Selanik.

Konsulli austriak e liroji nga burgu. Por, frati menjëherë shkoi në Kostantinopojë për të ndërhyrë – intervenoi për besimtarët e tij dhe për t’i vizituar, për t’ju dhanë ngushëllime në Muhaliq dhe Filedare. Prej 150 njerëz, disa vdiqën gjatë udhëtimit, disa nga pleqëria, dobësia dhe epidemitë në mërgim, vetëm 79 prej tyre arritën të kthehen në shtëpitë e tyre në fund të viti 1848.  Prej 150 të aratisur 71 u vranë ndërsa 79 shpëtuan dhe u kthyen ne vendlindje. U kthyen shkak të ndërhyrjes së fuqive perëndimore

Por pas kthimit të tyre, vështirësitë dhe mundimet nuk u ndalen. Pronat e tyre u konfiskuan, dhe shtëpitë e tyre u plaçkitën dhe u dogjën. Administratori Apostolik i argjipeshkvisë Shkupit, argjipeshkvi Urban Bogdanoviq, ju kushton kujdesin e veçantë, ndërhyn në të gjitha anët, ku ka mundur dhe ku ka ditë. Dërgon Don Palë Berishën në Kostandinopojë më 1846 për të intervenuar te Porta për besimtarët katolike e Karadakut , por pa sukses. Gjithashtu, argjipeshkvi Urban Bogdanovićn e dërgoi Don Pal Berishën në vitin 1862 për t’ju kthyer pronat këtyre martirëve edhe për të rregulluar statusin e tyre. Mbasi janë kthye në vendlindje edhe 15 vjet janë maltretue, terrorizue dhe kanë jetua në kushte jo njerëzore. I përjetuan këto mundime vetëm për arsye të mbesin BESIMTARË SHIPTARË – KATOLIKË.

 

I DYTI – I LUMI DON ANTON MUZAJ – Martirë i Kishës

Don Anton Muzaj, martir i Kishës, lindi këtu në Vernakollë, më 15 maj të vitit 1921, prej babës Dejka dhe nënës Dilje r. Đorđević. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa të mesmen në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1938 u dërgoi në Romë në Kongregatën Propaganda Fide dhe studioi teologji në Universitetin Gregorian. U shugurua meshtar më 19 mars 1944. Në vitin 1946 u kthye në Shqipëri. Pas arrestimit të Dom Tomë Lacajt, e zëvendësoi këtë si sekretar të argjipeshkvit.

Gjatë regjimit komuniste u arrestua për shkak të urrejtës ndaj fesë. Arrestohet në Shkodër me 20 maj 1947. Deri sa ishte  në burg torturonin vazhdimisht.  U torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm pse nuk pranoi të mohonte besimin në Zotin. Për të ja thye shpirtin, u detyrua të qëndronte i pa lëvizur para murit pesëmbëdhjetë ditë e pesëmbëdhjetë natë, duke e rrah për çdo ditë dhe duke i derdhen vazhdimisht ujë të ftoftë. I ngrirë dhe i dobët, në këto kushte çnjerëzore u sëmur nga tuberkulozi. Kjo nuk ju mjaftojë por e torturuan edhe ma shumë. Ja thyen duart dhe këmbët. Duke e parë se ishte në prag të vdekjes nga plagët e marra e liruan me kushte nga burgu dhe e kthyen në shtëpi në argjipeshkvi. Gjyqi u mbajt me 14 janar 1948.

At Zef Pllumi, një nga të mbijetuarit e regjimit komunist në Shkodër, në librin e tij “Jeto vetëm për me tregue“ përshkruan torturat dhe kushtet në të cilat ishin ekspozuar meshtarët e torturuar në Shkodër.  “Të gjithë u dënuan, disa me vdekje me pushkatim, disa me burgim të përjetshëm, disa deri në disa vjet burg“: “Don Anon Muzaj i rraskapitur, i cili ishte aq i dobët sa mund të vdiste në çdo moment, lirohet me kusht ( lirohet vetëm sepse ishte për vdekje). Pasi u lirua, vdiq me dhimbje të tmerrshme, si pasojë e torturave, në rezidencën e argjipeshkvisë së Shkodrës. Vdiq në pranverën e vitit 1948, në moshën 28 vjeçare.

Procesi i lumturimit filloji me 10 nëntor 2002 në Dioqezën e Shkodrës, u mbyll me 8 dhjetor 2010. U shpall i lumtur ose u lumturua me 5 nëntor 2016, së bashku me tridhjetë e tetë dëshmorë – martirë shqiptarë.

Ipeshkvi jon mons. Dodë Gjergji i pruni fuqitë e këtij martiri dhe i vendosi në altarin e Kishës në Binçë me 4 gusht të vitit 2022. Në Letnicë është truporja e këtij martirit të lumturuar.

Të kthehemi të shenjti i sotshëm dhe ta përfundojmë:

Françesku i Asizit vdiq më 3 tetor 1226, në moshën 44 vjeç, në Asiz, Itali.  Vdiq i ri, vetëm 44 vite jetoi. Numri i viteve nuk është kualiteti i jetës. Edhe me pak vite, me 44 vite mundemi të behëmi shenjt. Te bëjmë vepra të mira.  Vetëm dy vite mbas vdekjes Françesku u kanonizua, u shpall shenjt.  Shenjtë e shpalli papa Gregori IX më 16 korrik të vitit 1228.

Po e përfundoj me një lutje të shkurtë të këtij shenjti;

Zot, më bëj një instrument të paqes Sate;

Ku ka urrejtje, më lër të mbjell dashuri;

Ku ka lëndim, falje;

Ku ka gabim, e vërteta;

Ku ka dyshime, besimi;

Ku ka dëshpërim, shpresë;

Ku ka errësira, drita;

Dhe ku ka trishtim, gëzim. Amen./drita.info

 

(Homeli e mbajtur në ditëfestën e Shën Françeskut në Kishën e Vernakollës, më 4 tetor 2023. Titulli është i redaksisë.)

Shpëndaje: