Në festën Shën Gjergjit, martir, që kremtohet me 23 prill, sipas kalendarit liturgjik të Kishës Katolike, po sjellim të dhëna nga jeta dhe përshpirtëria për të, për të rizgjuar një traditë të lashtë e të bukur, si një ripërtëritje për shenjtërit, shembuj dhe modele të jetës së krishterë.
Jeta
Figura e Shenjtit mbështillet me mister. Janë të pakta të dhënat historike e të shumta gojëdhënat, që u krijuan në shekuj për Shenjtin, kulti i të cilit u përhap shumë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, duke nisur që nga shekulli IV. Ato pak të dhëna, që erdhën deri në ditët tona, mund t’i lexojmë në “Passio Georgii”, apo historia e martirizimit të Gjergjit, të cilën “Decretum Gelasianum” i vitit 496 e klasifikon ndërmjet veprave apokrife.
Gjergji, emër me origjinë greke do të thotë “fermer”, lindi në Kapadoki rreth vitit 280 në një familje të krishterë. Ai u zhvendos në Palestinë dhe u regjistrua në ushtrinë e Dioklecianit. Kur, në vitin 303, perandori lëshoi dekretin e persekutimit kundër të krishterëve, Gjergji ua dha të varfërve gjithë pasurinë dhe, para vetë Dioklecianit, grisi dokumentin dhe shpalli besimin e tij në Krishtin. Për këtë ai i nënshtrohet torturave të tmerrshme dhe në fund i pritet koka. Në vendin e varrimit në Lidda, dikur kryeqyteti i Palestinës, tani një qytet izraelit pranë Tel Avivit, pak më vonë u ngrit një bazilikë, mbetjet e së cilës janë ende të dukshme.
Ndër dokumentet më të vjetra që vërtetojnë ekzistencën e Shën Gjergjit, një epigraf grek i vitit 368 i gjetur në Herakle të Betanisë, i cili flet për “shtëpinë ose kishën e shenjtërve dhe martirëve triumfues Gjergjit dhe shokëve të e tij”.
Kulti dhe përshpirtëria
Kulti i tij nisi të përhapej së pari në Palestinë. Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi kuçedrën, në përfytyrimin popullor, simbol i fitores së krishterimit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi, pikturë e figurë të njohura në përshpirtërinë popullore, paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik, që ndeshet me kuçedrën dhe e mund.
Legjenda e kuçedrës nisi në mesjetë, kur figura e Shenjtit mori pamjen e kalorësit heroik. Rrëfehet se në qytetin e Silenes, në Libi, banorët sulmoheshin nga një kuçedër, që jetonte në një kënetë. Për ta qetësuar, nisën t’i jepnin çdo ditë dy dele; më pas një dele e një vajzë, zgjedhur me short. Një ditë shorti i ra bijës së mbretit. Në sa po e çonin te kuçedra, kaloi andej pari Shën Gjergji, i cili u ndesh me kuçedrën dhe e mbyti me heshtën e tij të mprehtë. Atëherë mbreti dhe gjithë nënshtetasit e tij u kthyen menjëherë në fenë e krishterë. Prej këndej, Shenjtit iu kushtuan shumë vepra letrare e artistike, nga të cilat kujtojmë “De situ terrae sanctae”, shkruar rreth vitit 530 nga Teodor Perigeta, në të cilën lexojmë se në Lida të Palestinës, sot Lod, pranë Tel Avivit, në Izrael, ishte një bazilikë konstandiniane, ngritur mbi varrin e Shën Gjergjit e të shokëve të tij. Pavarësisht nga kjo e dhënë, me ngjyrime historike, studiuesit vijojnë edhe sot e kësaj dite të bëjnë kërkime, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Kush ishte Shën Gjergji, historia e të cilit e frymëzoi aq shumë artin, duke mbetur edhe sot e kësaj dite shumë e dashur për botën e krishterë?”.
Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Rikard Zemërluani. Me normanët, kulti i tij u rrënjos fuqishëm në Angli ku, në 1348, Mbreti Eduardi III themeloi Urdhrin e Kalorësve të Shën Gjergjit.
Mbetet dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj. Emrin e tij e mbajnë 21 komuna italiane.
Shën Gjergji konsiderohet shenjt mbrojtës i kalorësve, ushtarëve, skautëve, harkëtarëve; për më tepër ai thirret në ndihmë kundër murtajës, lebrës dhe kundër gjarpërinjve helmues. Shën Gjergji nderohet edhe nga myslimanët të cilët i dhanë pseudonimin ‘profet’. Në mungesë të të dhënave të sigurta për jetën e tij, në vitin 1969 Kisha e caktoi festën liturgjike të Shën Gjergjit të jetë fakultarive, pa ndikuar megjithatë në kultin kushtuar atij. Reliket e shenjtit gjenden në vende të ndryshme anembanë botës: në Romë, në kishën e Shën Gjergjit al Velabro,e cila e mban kafkën e tij me urdhër të Papa Zakarisë.
Ashtu si në rastin e shenjtërve të tjerë të mbështjellë me legjenda, ashtu edhe për Shën Gjergjin mund të arrihet në përfundimin se funksioni i tij historik është t’i kujtojë botës një ide të vetme, por themelore, dhe ajo është se e mira gjithmonë fiton mbi të keqen në planin afatgjatë. Lufta kundër së keqes është një dimension gjithnjë i pranishëm në historinë njerëzore, por kjo betejë nuk mund të fitohet vetëm: Shën Gjergji vret dragoin (të keqen), sepse është Zoti ai që vepron nëpërmjet tij. Me Krishtin, e keqja nuk do ta ketë më kurrë fjalën e fundit.
Devotshmëria te populli shqiptarë
Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në popullin shqiptarë. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme e të brendshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë Shëngjergjash”.
Vashat duer-njoma pa çilë agimi
kpusin sot gema me ia vu derës
si shej gazmendi, si shej urimi
pse erdh Shën Gjergji krushku i Prandverës.
T’tana u stolisen dyert qi ka shpija
me gema kumbullash e drandofillesh:
pa za t’përshndesin era e freskia
kahdo qi t’sillesh.
Erdhi Shën Gjergji! Me cërcërrime
flutrojn dallndyshat npër rreze ari.
Qoft’bekue dora qi n’derën t’ime
dy gema lulesh n’mëngjes i vari.
Qoft’bekue dita qi n’mjeri t’soçme
nji doke gzimi pertrin me mallë,
rritin e bukur t’prandverës s’moçme
ambël tue ngjallë.
Shën Gjergj, Prandvera, – zoja hirplote –
prore ty t’pati ndër né lajmtar:
kët kremte lulesh papra ndër mote
ti ia përsritë prillit shqiptar.
Ti lulevilet i hap’mbi tanda
ku n’andrra t’reja zemrat na dridhen,
e ti mkamb’vallet nën manda
ku shrregllat hidhen.
N’stërnipa mbrrijti si nëpër mjegull
hareja e pastër qi dikur solle.
S’dijm me hov t’vjetër m’u lkundun n’shregull!
e vallja plogtas shtiellet okolle!
Dhe n’i u përgjegjshim grishjeve t’tueja,
dhe n’qe se vallet endè s’kan’heshtë,
prap s’dijm me t’lutun: shllimet e hueja
s’na lane t’thjeshtë…
Sa dyer t’stolisuna me lule t’bardha
jan’rrzue gjat’moteve, o dit’pagane!
e sa duer vashash ka ngrimun mardha
qi me kput’gema dikur i bane!
por psè ndër shekuj ndrruen njerzt e feja,
zakon i moçëm, jo, nuk u buer:
me gema e lule kah dyert e reja
prap çohen duer.
N’Shën Gjergj t’ardhshëm le t’çohen prore
duer t’bardha vashash n’spijat shqiptare:
le t’varin lule duert prandverore
ku ruhen doket porsi visare.
Bift’n’ato shpija gzimi ma i dlirti,
ma e ambla valle n’prill u këndoftë,
andrra ma e bukur qi deshron shpirti
aty lulzoftë!
[Ernest Koliqi]
Në trojet shqiptare ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug: mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ky i fundit i njohur edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të reja.
Në Kosovë njihet Kisha e Shën Gjergjit në Stubëll, vendi ku është krijuar famullia në vitin 1905, por që e tregon lashtësinë e saj shumë shekuj përpara. Në të njëjtën Kishë ka funksionuar Shkolla e Parë Shqipe e udhëhequr nga famullitari i saj Dom Mikel Tarabulluzi.
Së fundi. të theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat, e Gjorgjina e Gjorgjana për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti e Gjergj Fishta./drita.info
Piktura në ballinë: Paolo Uccelo (1397-1475), Shën Gjergji duke e vrarë dragoin, viti 1430, e cila gjendet në koleksionin italian të Muzeut Jacquemart-André.