Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje 2022

Porosia e Imzot Dodë Gjergjit

për Krishtlindje 2022

 

 

“Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve.”

Lk 2,14a

 

 

Të dashur vëllezër e motra,            

pas përgatitjes gjatë Kohës së Ardhjes, vazhdojmë me gëzimin e festës së përvjetshme të Kërshëndellave, kremtimin e lindjes së Jezusit në Betlehem. Ai është Biri i Marisë Virgjër, Fjala e Mishëruar, Princi i Paqes.  Nëpër Të gjithë ne kemi marrë dhuratën e paqes së përbrendshme të shpirtit, me Të ushtrojmë të jetuarit në paqe në Kishë dhe, si punëtorë të vyer të paqes, punojmë për pajtimin e njerëzve, ashtu që botës të mos i mungojë kurrë paqja e Hyjit. E si pajtues, gjejmë lumturinë e jetës dhe fitojmë bijësinë e Hyjit (khs. Mt 5, 9).

Siç e shpall Kisha në vazhdimësi: Lindja e Jezu Krishtit në Betlehemin e Judesë, është festë e paqes dhe dashurisë, festë e gëzimit dhe haresë, festë e shpresës dhe lumturisë, sepse Fjala e Hyjit erdhi e banoi ndër ne.  E, paqja e tij nuk do të  ketë mbarim. Prandaj, të gjithë që janë pagëzuar në Krishtin “duhet të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.” (Ef 1,4b).

Në Natën e Shenjtë të lindjes së Jezusit, qiejt me këngën e engjëjve i japin lavdi Hyjit dhe kumtojnë njerëzve mbi tokë paqen (khs. Lk 2, 14b), si dhuratën më të begatë që Ai i ofron njerëzimit.  Porosia tejet e rëndësishme e Krishtit për dishepujt e tij ishte: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time!”  (Gjon 14, 27a). Kurse fryti i parë i Ringjalljes ishte: “Paqja me ju!” (Gjn 20, 19).  Të mbështetur në dashurinë e Princit të Paqes, të mbushur me paqen e shpirtit të Hyjit dhe të inkurajuar me fitoren e të Ringjallurit, s’na mbetet tjetër të themi veçse: “Mos i shiko, o Zot, fajet tona, por fenë e kishës sate”.

Në kremtimin e festës së Këshëndellave është tejet e rëndësishme: “t’ia shtojmë fesë sonë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtëninë, përshpirtënisë, ndjenjën vëllazërore, vëllazërimit dashurinë që përqafon gjithkënd.” (2 Pj 1, 5-7). Nëse i kemi këto cilësi dhe nëse përparojmë në to përditë, doemos do të zbulojmë bukurinë e fesë në Zotin tonë Jezu Krishtin dhe do bëhemi të frytshëm e të dobishëm për njëri-tjetrin.

Në fillim të këtij viti, në përvojën e ecjes sinodale, që na është dhuruar nëpërmjet Papa Françeskut, kemi bërë një përvojë të mirë të soditjes së pranisë së Hyjit në jetën e Kishës sonë. Ishte një kohë e veçantë hiri për të shoshitur të vërtetat e besimit dhe një përtëritje e përbashkët e dashurisë vëllazërore. Në këtë ecje bashkësiore kemi hetuar bukurinë e të qenit bashkësi që bashkëndan dhuratat e Hyjit në kontekste të veçanta, e posaçërisht e kemi përjetuar dhuratën e të jetuarit paqësisht. Nga kjo e vërtetë kishtare jemi të nxitur të bëhemi misionar të paqes, që si paqembartës, të punojmë  në ndërtimin e paqes mes njerëzve.

Pasi e kemi vërejtur se jo të gjithë e kemi dhuratën e paqes, këndej nuk duhet pushuar ta lartësojmë lutjen tonë, që paqja e Krishtit të mbretërojë në secilin prej nesh “pasi jemi të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë […]  përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet” (Kol 3, 12-15a).

Nuk duhet harruar, që derisa përpiqemi ta jetojmë paqen hyjnore, ne vazhdojmë të jetojmë në botë, ku mosdurimi, urrejtja dhe konfliktet e kërcënojnë dhe e rrënojnë paqen. Kurse luftërat, që pandërprerë e kanë brejt historinë e njerëzimit dhe kanë rrënuar të ardhmen e individëve, familjeve dhe popujve, janë pasojë e njeriut të zhveshur nga kjo Paqe, i cili mbushet me etje për pushtet, priret drejt madhështisë dominuese dhe është i privuar nga dhembja ndaj padrejtësive dhe mizorive.

Fatkeqësisht, ky realitet i hidhur ka marrë përmasa të frikshme edhe në ditët tona, sidomos në Ukrainë, ku urrejtja dhe lufta po shpërfaqin të gjitha mizoritë e veta mbi të pambrojturit dhe të pafajshmit. Gjithë kjo vjen si  rezultat i perceptimit të gabueshëm mbi paqen, duke parë atë si mjet të nevojshëm e jo si dhunti që mungon. Kur paqja kërkohet nga frika e luftës atëherë domosdoshmërish shmanget nga e vërteta, në anime të padrejta dhe në vetëkënaqje me konservimin e konflikteve. Pasi paqja perceptohet si unitet i nxitur nga frika apo interesi, marrëveshje për kënaqjen e të fortëve ose armëpushim mes armiqësive.

Në anën tjetër, të gjithë ne jemi dëshmitarë se çka po ndodhë në vendin tonë, ku mungesa e luftës dhe paqja e detyruar, nuk ka krijuar kushte për pajtim, por vetëm sa ka akumuluar urrejtje, mosbesim dhe mosdurim ndaj njëri-tjetrit. Këndej, është e nevojshme që të hiqet dorë nga përdorimi i gjuhës që nxitë urrejtje, nga përdorimi i mjeteve që pengojnë lirinë dhe veprimeve të pamatura që nuk çojnë drejtë pajtimit. Kurse të përfshirit në lehtësimin e dialogut nuk duhet të presin që pajtimi të vijë vetvetiu, por të angazhohen me seriozitet, të punojnë me përkushtim dhe të jenë të drejtë në gjykimet dhe propozimet e tyre, në mënyrë që një konflikti i ri i mundshëm në rajon, të mos lejohet të vijë para paqes e pajtimit. Sepse jam i bindur, se sado që ka “koka të nxehta” që duan luftën, shumë më shumë janë zemrat e ngrohta që e duan paqen. E, për të arritur paqen, nevojitet çiltërsi për t’u përballë me të vërtetën, gatishmëri për t’u penduar, guxim për të falur e dashuri për t’u pajtuar.

Po ashtu, është e dhimbshme kur shohim mungesën e kësaj Paqeje në zemrat e njerëzve dhe në shtëpitë tona. Prandaj, duket e ngutshme të drejtohemi drejt Foshnjës së Betlehemit, Paqes së Mishëruar, që t’ia paraqesim të gjitha vuajtjet e palëve të vetmuar, grave të vrara nga ata me të cilët duhej ta ndërtonin jetën ose të torturuara nga ata që presin dashuri.

E mbi të gjitha, sot ia paraqesë shpirtrat e pafajshëm të foshnjave që s’i lejuan të lindnin dhe gjithë fëmijët që brenda familjes nuk arrijnë të shijojnë paqen dhe dashurinë e prindërve.

Të dashur besimtarë, miq të dashur,

krejt në fund, dëshiroj t’ju siguroj se në meshën e shenjtë të Krishtlindjes do t’ju kem në lutjet e mia të gjithëve, posaçërisht njerëzit më në nevojë; ata që luftojnë për bukën e përditshme, për jetë të dinjitetshme, për paqe e drejtësi, dhe çdo aspiratë njerëzore që mund ta ketë në zemër njeriu ynë fisnik.

Për shumë mot Krishtlindja dhe Vit të Ri në paqe dhe bekime!

Shpëndaje: