SINONIMIA E ROMANIT OH TË ANTON PASHKUT

Nga Xhavit Beqiri

 

Shtresimet e gjera të dijes e të informacionit letrar e kulturor të autorit Anton Pashku, në romanin Oh shpërfaqen si kujtesë për madhështinë dhe tkurrjen e etnisë, për të shpërthyer me pasthirrmë, me gjâmë të rândë, si ekspresivitet i dhembjes dhe pafuqisë individuale e të përgjithshme. Lavdia e humbur, rënia e vazhdueshme, disfatat dhe copëzimet e stërpërsëritura shpërthejnë me pasthirrmë emocionuese; prandaj Oh i Pashkut është oh i individit përballë shoqërisë, ashtu siç është oh i etnisë, përballë tragjedisë së përsëritshme, tragjedisë pa fund që buron nga pushtimet dhe tkurrjet. Për më tepër, është një antitezë në mes asaj që ka qenë dikur etnikumi iliro-arbëror, qoftë edhe si idealitet krijimi, si botë imagjinare, dhe asaj që ka mbetur nga ai etnikum. Kujtesa, pra, përplaset fort me faktin, me realitetin. Si dy botë shumë të ndryshme, njëra e madhërishme, e tjetra e gjymtuar, këto nuk kanë si të mos e krijojnë këtë mospërputhje të madhe, këtë kundërshti të papajtueshme, e cila në tekstin letrar merr formë nëpërmjet figurës, në këtë rast, antitezës.

 

Elipsa, heshtja, refuzimi…

Duke persiatur për misterin e raportit të veprës, autorit dhe lexuesit, vite më parë, ritheksoja një të dhënë të përbotshme: “Vepra e mirë është si vera. Sa më shumë që të kalojë koha, ajo bëhet gjithnjë e më e dëshiruar. Një vepër e mirë jeton shumë më tepër, sesa krijuesi i saj, i cili ia lë shëndenë kësaj bote, duke ia lënë, megjithatë, edhe një pjesë të vetvetes – Veprën. Brezave që vijnë kjo vepër ua ofron – jo veç si mesazh artistik, po edhe si njëfarë misteri – një pjesë të shpirtit të krijuesit, me tërë rropullitë e tij, edhe mendore, edhe emotive…” (“Gjuha dhe letrat”, ShB “AIKD”, Prishtinë, 2005, f. 127).

Në letërsinë e Kosovës, madje në letërsinë shqipe në përgjithësi, romani Oh i Anton Pashkut është shembulli më tipik i dëshmisë së kësaj ligjësie universale. I botuar më 1971, ky roman është bërë me kohë shenja dalluese jo vetëm e autorit të saj, por e një brezi të tërë krijuesish, të cilët në letërsinë e Kosovës tashmë janë pagëzuar si “autorët e refuzimit” (shih. Nysret Krasniqi, “Letërsia e Kosovës 1953 – 2000”, ShB “AIKD 99”, Prishtinë, 2016). Për më tepër, fryma e asaj kohe, e çliroi letërsinë shqipe nga shkrimi ideologjik, nga propaganda socrealiste, e cila, duke e nxjerrë artin e shkrimit nga shtrati i saj i vërtetë, e kishte shndërruar tashmë letërsinë në një gogol të shëmtuar në shërbim të pushtetit.

Oh-u është pasthirrmë e dhimbjes së madhe, është klithje e pamundësisë për ta ribërë si një tërësi të vetme botën që ka ekzistuar dikur, një idealitet, me botën e sotme të sakatosur shëmtueshëm, me botën e sotme torzo, një fakticitet; pamundësia e njeriut/krijuesit që gjakon tërësinë, pafuqia e njeriut që, në fund të fundit, gjakon lirinë e tij dhe të etnisë së tij, shpërthen dhimshëm e gjëmueshëm si një përplasje e madhe yjesh, që në ligjërimin pashkian kondensohet në një pasthirrmë të vetme – oh! Prandaj, romani Oh i Anton Pashkut, që në titull, sugjeron shprehjen dhe mendimin e kondensuar, përqendrimin maksimal, elipsën!

Ligjërimi pashkian, i mbrujtur me dijen dhe me vetëdijen e autorit për përkatësinë si etni, si gjuhë dhe si religjion i përfshin në një të tri veçoritë apo figurat e sipërtheksuara: Oh-u pasthirrmë është edhe antitezë, edhe elipsë. Pasthirrma oh del si antitezë, si kundërshti e rreptë në mes bukurisë së një bote imagjinare (kujtesës) dhe shëmtisë së botës konkrete të gjymtuar (fakticitetit); ndërsa, elipsa del nga teksti e konteksti i veprës, sepse gjâma e madhe, dhimta e rândë nuk sajohet me të folurit e stilit të lartë të veprave epike, me epitete e hiperbola, por me një klithje të tkurrur skajshëm, vetëm me një oh.

Po ashtu, përveç të tjerash, ky tekst i Pashkut ka elemente të theksuara të botëkuptimit e të ligjërimit biblik. Sado që autori duket sa nuk ka pasur intencë t’i bëjë të vërejtshme këto elemente, duke këmbëngulur ta ruajë stilin vetjak të shkrimit, ato dalin në pah ku më shumë e ku më pak, për të krijuar njëfarë parafytyrimi për peizazhin e botës së tij intelektuale e shpirtërore. Rrëfimi për delen e humbur në romanin e Pashkut është shumë i ngjashëm me rrëfimin për delen e humbur në Bibël. Edhe mesazhi që del prej këtij rrëfimi të Pashkut, edhe pse nuk thuhet drejtpërdrejt, meqë autorit i pëlqen heshtja, heshtja si figurë letrare, është lehtësisht i nënkuptueshëm: kopeja, tërësia nuk është e njëjtë, nuk është tërësi nëse i hiqet qoftë edhe një dele e vetme. Krijuesi letrar, njësoj si krijuesi biblik nuk e pëlqen torzon, por tërësinë!

Përtej tragjikës së stampuar si klithje ngjethëse që në titull, ligjërim i Oh-ut, ndonëse disi e mban fshehur, ka një tis të thekshëm ironie; edhe ironia e Pashkut është origjinale, sepse del nga nënteksti i veprës, pra nuk është qëllim parësor i saj. Ajo del si refuzim i brendshëm i tekstit, edhe pse mund të jetë nxitur nga kultura e refuzimit e ushqyer në Kosovë gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar, qoftë si fiksion qoftë si mendim kritik. Fundja, kushedi si e ku pikëtakohen udhët e krijuesve! Madje, edhe kur ata janë mjaft të ndryshëm si formë e shprehjes së botës artistike dhe e artikulimit të botës intelektuale e qytetare…

 

Sinonimia sintaksore e romanit Oh

Në gjuhën shqipe radhitja e fjalëve në fjali dhe e fjalive në fraza është relativisht e lirë. Nuk ka ndonjë rregull të pakapërcyeshme që e sanksionon këtë. Megjithatë, gramatikat normative  saktësojnë se në shqip mund të dallohen dy lloje radhitjesh të fjalëve në njësi më të mëdha gjuhësore:

  1. radhitja e drejtë: kryefjalë+kallëzues, kallëzues+kundrinë+rrethanor etj., dhe
  2. radhitja e anasjelltë: kallëzues+kryefjalë, kundrinë+kallëzues etj.

Këto radhitje ndryshe quhen: renditja neutrale: temë+remë dhe renditja emfatike: remë + temë. Në studimet shqipe të kësaj fushe, tema nënkupton pikënisjen e fjalisë, ndërsa rema të renë, atë që s’është njohur më parë. Kuptohet, në rrafshin e ligjërimit stilistikisht të përpunuar, funksioni stilistik realizohet më shumë me rendin inversiv remë+temë, me qëllim që të shprehet theksimi emfatik i remës.

Krijuesi i përsërit elementet që atij i duken më të rëndësishme për t’i arritur “synimet” e veta artistike, për ta kumtuar në mënyrë më ekspresive atë që dëshiron t’ia transmetojë recipientit të tij. Me anë të përsëritjes tërhiqet vëmendja e lexuesit kah ajo që “duhet të jetë” në plan të parë sa i përket aktualitetit. Autori përpiqet që lexuesin “ta tërheqë” drejt një ideje të caktuar, drejt një mesazhi që ai mëton “ta plasojë”, gjithnjë duke i shfrytëzuar finesat e gjuhës së artit letrar.

Sinonimia sintaksore është një element i rëndësishëm i sintaksës stilistike. Ajo mund të jetë dy llojesh:

a. me afri strukturore gjuhësore, dhe

b. me afri kuptimore

Sinonimia me afri strukturore gjuhësore mbështetet në përdorimin gati paralel të njësive përbërëse gjuhësore, kurse sinonimia me afri kuptimore mbështetet në lidhshmërinë kuptimore të veprimit. Që të dyja duhet të shihen në nivel të tërësisë së tekstit, sepse njësitë e shkëputura nga konteksti nuk mund të krijojnë sinonimi.

Sinonimia tekstore me afri kuptimore karakterizohet edhe me një ngjashmëri të organizimit gjuhësor, meqë ka përafërsisht (diku-diku krejtësisht) numër të njëjtë njësish gjuhësore, mjetesh lidhëse, përftesash etj.

Romani Oh i njeh këto forma të sinonimisë sintaksore dhe i artikulon ato estetikisht.

 

Sinonimia strukturore gjuhësore

Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta, ose të përafërta, veçimi dhe topika e tyre, janë elemente të rëndësishme të ligjërimit pashkian. Në romanin Oh shembujt e sinonimisë strukturore gjuhësore janë të shumtë, ashtu siç janë të shumtë edhe shembujt e sinonimisë me afri kuptimore. Anton Pashku “nuk e respekton” normën e zakonshme të radhitjes së fjalëve në fjali, të fjalive në periudhë, të periudhave në frazë; Pashku e ka normën e vet, normën e fuqishme të krijuesit… Ai është i veçantë si krijues, por edhe më e veçantë është gjuha e krijimeve të tij. Unik në të dyja, ai mbetet një model i shkrimit dhe i punës me gjuhën.

Në romanin Oh, lehtë bie në sy një sintaksë krejtësisht atipike e romanit. Shenja të forta dalluese të gjuhës së kësaj vepre janë: ndërrimi i funksionit sintaksor të gjymtyrëve, kalimi i tyre nga gjymtyrët kryesore në të varura dhe anasjelltas, përmbysja e rendit sintaksor, inversioni, transpozicioni semantik i foljeve, fjalitë e paplota, fjalitë e pagjymtyrëzueshme, fjalitë njëkryegjymtyrëshe vetore, fjalitë njëkryegjymtyrëshe pavetore, gjymtyrët homogjene, gjymtyrët e veçuara… në fund të fundit – njëfarë oksimoroni total i një teksti në prozë të shkruar të shumtën me ritmin, tonin dhe figuracionin e një vepre me poezi.

… gemi i thotë degës, dega lisit, lisi lisave, lisat fushës, fusha kodrave, kodrat bjeshkëve, bjeshkët reve, qiellit, e qielli reve, retë bjeshkëve, bjeshkët kodrave, kodrat fushës, fusha lisave, lisat lisit, lisi degës, dega gemit e gemi i thotë desidiatit dhe breukut… (Oh, fq. 38)

Në këta rreshta, shohim lojën semantike e sintaksore të Pashkut; përveç fjalisë së parë dhe asaj të fundit (gemi i thotë degës, përkatësisht gemi i thotë desidiatit), të gjitha fjalitë e tjera janë fjali njëkryegjymtyrëshe emërore, në të cilat mungon njësia kallëzuesore. Kjo e dhënë e përligj pakundërshtueshëm pohimin se ligjërimi pashkian, përveç të tjerash, gjakon elipsën. Pashku është shkrimtar i gjuhës maksimalisht të thukët, ai kërkon – dhe ia del mbanë – që nga fjala t’i nxjerrë të gjitha konotimet e mundshme, madje të krijojë prej saj sugjestione të pafundme. Loja e ndryshimit të funksionit sintaksor të gjymtyrëve, në këta rreshta, nis që nga fjalia e parë, në të cilën emri degës, në dhanore, ka funksionin e kundrinës së zhdrejtë, mirëpo fill në fjalinë e dytë, ky emër, nga gjymtyra e varur shndërrohet në gjymtyrë kryesore, në kryefjalë: dega lisit. E kështu me radhë kundrina lisit, bëhet kryefjalë në fjalinë pasuese “lisi lisave” deri te fjalia e fundit, ku Pashku “e rigjen” foljen-kallëzues.

Ndërtimet e tilla sintaksore, jo vetëm nga aspekti i formës, por edhe nga ai i funksionit janë veçori dalluese e stilit të poezisë. Mungesa e gjymtyrëve të caktuara, e sidomos e gjymtyrës kryesore i jep ligjërimit artistik forcë e shprehësi të veçantë. Teksti i romanit Oh, e pasqyron prozatorin Pashku edhe në petkun e poetit; ligjërimi i tij fsheh tejetej nuanca të forta lirizmi!

Në shembullin e cituar, njësitë strukturore të sinonimisë janë sajuar mbi bazën e parimit të paralelizmit dhe të formave të njëjta gramatikore-gjuhësore, me qëllim të shtimit të shkallës së shprehësisë dhe të intensivitetit të tekstit. Përveç sinonimisë kuptimore, këto fjali kanë edhe unitet strukturor (gjymtyrësh), prandaj paraqesin shembull tipik të sinonimisë strukturore gjuhësore, e cila mbështetet më shumë në përdorimin e njësive përbërëse gjuhësore, sesa në anën kuptimore të tyre.

Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta sintaksore ka ndikim të drejtpërdrejtë në anën estetike të tekstit letrar, sepse ndikon si në aspektin kuptimor/figurativ, ashtu edhe në anën melodike/tingullore të tij. Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta shndërrohet në mjet të shkallëzimit poetik të tekstit, meqë grumbullimi i elementeve të njëjta vetvetiu krijon enumeracion.

Në romanin Oh, gërshetimi i sinonimisë me afri strukturore gjuhësore dhe sinonimisë me afri kuptimore është një dukuri më se e rëndomtë. Uniteti i tekstit, i realizuar nëpërmjet gjymtyrëve të përsëritura homogjene, sajon njëkohësisht sinonimi strukturore gjuhësore dhe sinonimi kuptimore.

Sinonimia strukturore gjuhësore e karakterizon gjithë tekstin e romanit Oh. Shpeshherë, kjo afri gjymtyrësh sintaksore arrin shkallën e një paralelizmi të plotë, meqë teksti përmban gjymtyrë tërësisht të njëjta

  ‘Këtë, desidiat, nuk e bajnë as breukët!’

 ‘Këtë, breuk, nuk e bajnë as desidiatët!’ (Oh, fq. 33)

Rreshtat e mësipërmë, nëse doni vargjet, pse jo, kanë unitetet të plotë strukturor e kuptimor. Nga aspekti i trajtave morfologjike kemi renditjen: përemër dëftor, emër, pjesëz mohuese, trajtë e shkurtër e përemrit vetor, pjesëz mohuese dhe emër; nga aspekti sintaksor kemi renditjen: kundrinë, thirror, kallëzues dhe kryefjalë. Sa i përket, radhitjes së fjalëve në fjali, kemi të bëjmë me radhitjen e anasjelltë (ose emocionale), sepse rendi i drejtë gramatikor është përmbysur fare dhe kryegjymtyrët janë në fund të fjalisë. Ligjërim tipik i stilit të letërsisë artistike. Ligjërim që e shndërron kuptimin e fjalëve, herë duke e zgjeruar, herë duke e ngushtuar, gjithnjë me konotime të reja, ligjërim që, po ashtu, e shndërron funksionin thjesht sintaksor të gjymtyrëve gramatikore, të cilat, nëpërmjet përsëritjes dhe inversionit kalojnë përnjëherësh në gjymtyrë sintaksore-stilistike.

  • Bre!
  • Dre!
  • Eh, moj bobla e mjerë!

Eh, or bobol i gjorë! (Oh, 18)

Dy fjalëzat e para (bre/dre) krijojnë ironi e antitezë njëherësh, që vazhdon dhe ashpërsohet më tej teksa vijon dialogu/replika, që në planin gjuhësor realizohet me një strukturë tërësisht të njëjtë trajtash morfologjike e funksionesh sintaksore, ku spikat përsëritja e pasthirrmave emocionale (eh) dhe nxitëse (moj/or), përsëritja e emrave thirrorë bobla/bobol dhe e mbiemrave të drejtpërdrejtë cilësorë (e mjerë/ i gjorë), me funksionin sintaksor të përcaktorëve. Shkurt, secili detaj në funksion të tërësisë! Sikundër edhe në shembullin më poshtë:

  • “Fjalën e ka për tutla!”
  • Fjalën e ka për tutra!”
  • Rri aty, nuk din ti ç’janë tutrat.”
  • Ti nuk po e ditke ç’janë tutlat.” (Oh, fq 90)

Në dy rreshtat e parë, kemi fjali inversive, në të cilat gjymtyra e varur, kundrina e drejtë fjalën, që del para gjymtyrës kryesore kallëzues, me anë të ndërrimit të vendit të natyrshëm gramatikor, është shndërruar në kundrinë stilistike. Pjesa vijuese e fjalive (e ka për tutla. e ka për tutra), dallon vetëm nga aspekti kuptimor, ngaqë nga ana strukturore është plotësisht e njëjtë. Ndaj, kemi: kundrinë e drejtë + përsëritje e kundrinës + kallëzues i thjeshtë foljor + kundrinë e zhdrejtë me parafjalë.

 

Sinonimia me afri kuptimore

Çrëndomtësimi i topikës e bën romanin Oh më se një herë të përngjasojë me vargun poetik. Sikurse në poezi, edhe në këtë roman janë sajuar përplot figura tipike për stilin e poezisë. Pashku, ashtu siç predikonte shekuj më parë Aristoteli, i tejkalon kohët dhe format, duke na mundësuar që veprën e tij, të paktën nga forma e trajtave gramatikore dhe nga vlera semantike e tyre, ta lexojmë edhe si prozë, edhe si poezi. Teksti i tij letrar i ka shkrirë në një të dyja stilet e shkrimit, stilin e prozës dhe stilin e poezisë. Kështu, paronomazia, përngjashmimi tingullor, figurë tipike e veprave epike-lirike, haset dendur në romanin “Oh”. Mbase, kjo edhe mund te jetë veçoria më e dendur e përdorimit me funksion dytësor të gjuhës. Shembujt e përzgjedhur (e të këtillë ka përplot), pa dyshim, e përligjin këtë konstatim:

  • Eh, moj bobla e mjerë!
  • Eh, or bobol i gjorë!
  • Po ti nuk je as shi as borë!
  • Jam ajo që mbaj, së paku, ranë në dorë!
  • Ti, shkurt, ndoshta nuk je as gjizë.
  • As që due me qenë gjizë. Due me qenë kizë!
  • Po bizë? (Oh, fq. 18)

ose shembulli tjetër:

  • A edhe ty po të mundueka farë halli?!
  • Kështu, si ti, nuk flet as bakalli.
  • Pse, a s’asht bakalli njeri?
  • Njeri? Ai di shumë mirë me shti turshi.
  • E ti s’di me pi ujë as kur bie shi.
  • E paske sosë me ma ba fenë baski

(Oh, fq. 72)

Në këta shembuj dhe plot të tjerë të ngjashëm, vërehet çdokund prania e sinonimisë strukturore gjuhësore (përsëritja e emrave, foljeve dhe ndajfoljeve të njëjta). Megjithatë, elementi kryesor stilistik mbi të cilin këtu arrihet shprehësia e tekstit është ngjashmëria tingullore e tyre, paronomazia, sepse fjalët/emrat: borë-dorë, gjizë-kizë-bizë; halli-bakalli; turrshi-shi-baski; foljet: ka gjëmue – ka shitue – paska kaplue (me togun vokalik ue), dhe ndajfoljet: fort, kot, dot, motmot, sot, me strukturën e tyre tingullore shumë të ngjashme, e përplotësojnë njëra-tjetrën si një informacion shtues – plotësues i asaj që tashmë është e njohur. Prandaj, të dhënat e reja që sjellin këto fjalë, në rend të parë, vihen në funksion të anës kuptimore të tekstit.

Gjithsesi, edhe te sinonimia kuptimore spikatet afria/ngjashmëria strukturore gjuhësore e tektsit, mirëpo zbërthimi stilistik e vë në plan të parë aspektin semantik apo kuptimin e tekstit si tërësi. Prandaj, që fjalitë të kenë afri kuptimore, nuk është e thënë se ato duhet të kenë patjetër edhe afri strukturore, megjithëse as ky element nuk përjashtohet.

Në shembujt tanë, nga aspekti i tingëllimit, fjalët me të cilat përfundojnë fjalitë e këtyre dialogëve janë shumë të ngjashme. Në ndonjë rast, si te ilustrimi i dytë, ato dallojnë vetëm nga kundërvënia fonologjike e fonemave (p.sh. borë-dorë, gjizë–kizë–bizë, troftë-broftë; kot-dot-not-sot). Bashkë me rimën, përngjashmimi tingullor, si element i rëndësishëm fonostilistik i veprës, edhe në këtë roman shpeshherë sajon izotonizmin, theksat në rrokjet e njëjta (borë – dorë, ballin/hallin, troftë/broftë …), si dhe izotopinë, paralelizmin e plotë të trajtave gramatikore dhe të ndërtimit sintaksor, një dukuri që tashmë e cekëm.

 

Oh – sinekdoka e Pashkut dhe e veprës së tij

Në ligjërimin e letërsisë artistike secila fjalë është në gjendje të krijojë marrëdhënie jo vetëm morfo-sintaksore me një fjalë tjetër, por të na sugjerojë edhe konotime të tjera, të cilat mund të mos i kishim menduar më parë. E, pasi që çdo fjalë ka vlera intelektuale, ndiesore, sentimentale, tingëlluese, sociale, si dhe vlera (veçori) të përdorimit (P. Tevo & Zh. Lekomt, Komenti letrar, UEGEN, Tiranë, 2000, fq. 172), edhe pasthirrma oh e titullit të një romani bëhet domosdo pjesë e kësaj loje me ligjësi e me rregulla të paracaktuara. Kësisoj, kjo fjalëz ndihmëse, që gramatiksht nuk mund të ketë mëvetësi, sepse nuk futet në rangun e fjalëve që cilësohen si të tilla, u shndërrua në një gurrë interpretimesh që nuk prajnë tash e 46 vjet! Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe; romani “Oh”, që në titull, sugjeron një përdorim dytësor të gjuhës.

Në studimet tona letrare, njësoj si “Lahuta e malcís” e Gjergj Fishtës, edhe Oh-u i Anton Pashkut, me kohë, u ngjit në shkallën e një stileme. Për më tepër, kjo stilemë është bërë shenja dalluese e autorit të saj, është shndërruar me kohë në një sinekdokë.  Ashtu si emri i Gjergj Fishtës, autor, mbulohet nga figura e metonimisë, nga një titull i vetëm, Lahuta e malcís, ashtu vepra dhe emri i Anton Pahkut pothuajse janë mposhtur nga sinekdokaOh!

Ky, mbase, është fati dhe mallkimi i krijuesve të veprave të mëdha, që shenjojnë epokë! Të kujtohen sipas kryeveprës së tyre… /drita.info

(Ky tekst ësht botuar në revistën Filologji, v. 2019)

Shpëndaje: